Fqinjët e terrorizuar dhe të tronditur nga ajo çka i ndodhi familjes së biznesmenit E.K. në Shkozet të Durrësit, tregojnë për “DurrësLajm” minutat e para pas tmerrit, kur 3 persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë dhe kanë marrë 10 800 €.

Njëri prej tyre, tregon se E.K. ka shkuar menjëherë për t’i rënë derës së fqinjit, duke i thënë se grabitësit i kishin rrëmbyer djalin dhe i kishin grabitur paratë në banesë.

“Ishte i gjakosur, pasi e kishin goditur. Kërkonte telefon nga ana jonë për të njoftuar policinë pasi ata nuk i kishin telefonat. E njoftuam ne dhe më pas erdhi policia”, tregon banori i Shkozetit i tronditur nga ngjarja, që s’ka ndodhur ndonjëherë më parë në zonën e tyre.

Ndërkaq, policia e Durrësit nuk i ka identifikuar apo kapur ende sulmuesit, ndërsa ditën e sotme janë shoqëruar 5 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Ata janë marrë në pyetje nga grupi i hetuesve i ngritur për këtë çështje.

Si ndodhi ngjarja

Të veshur me uniformë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, maskat kanë grabitur me armë banesën e biznesmenit të transportit mbrëmjen e së shtunës.

Autorët e kanë pritur 38-vjeçarin në ambientet e jashtme të shtëpisë dhe në momentin që biznesmeni është afruar për të hyrë në banesë bashkë me djalin, i kanë vendosur armën në kokë. Nën kërcënimin e armës, grabitësit e kanë udhëzuar atë që t’u kërkonte familjarëve të hapnin derën e shtëpisë.

Në momentin që bashkëshortja e tij ka hapur derën, autorët mësynë në ambientet e brendshme të shtëpisë. Fillimisht, ata lidhën çiftin e bashkëshortëve dhe djalin e tyre, ndërsa më pas kontrolluan në ambientet e brendshme të shtëpisë. Mësohet se autorët kanë arritur që të gjejnë brenda në shtëpi një shumë parash prej rreth dhjetë mijë eurosh.

Pasi morën eurot, ata lanë të lidhur biznesmenin dhe gruan e tij, ndërsa në momentin e largimit morën me vete në formë pengu djalin e tyre.

Pas disa metrash, në momentin që dolën në rrugën kryesore, ata zbritën nga makina djalin e çiftit, i cili i tromaksur u kthye në banesë ku gjeti prindërit të lidhur.

38-vjeçari ka lajmëruar Policinë, ku në dëshminë e tij ka rrëfyer se kishte dalë shëtitje bashkë me djalin e vogël dhe pasi kishin konsumuar një kafe ishin drejtuar për të shkuar në banesë. Ai ka deklaruar se nuk ka arritur të njohë asnjë prej tre autorëve, pasi mbanin maskë në kokë.