DURRES, 1 mars 2013 Familjarët e 32 vjeçarit të akuzuar për grabitje në bashkëpunim me një tjetër person të automjetit, që policia dyshon se është përdorur në vrasjen e komisarit të policisë Dritan Lamaj, janë të shokuar nga ajo çfarë u ka ndodhur këto ditë. Babai i 32 vjeçarit Gentjan Bejtja shprehet se nuk arrin ta kuptojë se pse policia ka ndaluar djalin e tij, pasi ai nuk ka gisht fare në këtë çështje. Sipas Gani Bejtjes, djali ndodhej në Tiranë së bashku me të shoqen dhe njërin nga fëmijët pasi do të bënte një seancë kemioterapie në një spital privat në afërsi të Kamzës dhe më pas është kthyer në shtëpi.

Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve “Dyrrah”, Gani Bejtja, shprehet se akuzat e ngritura nga policia në adresë të djalit të tij nuk qëndrojnë dhe ai shpreson që të zbardhet sa më shpejt ngjarja dhe djali i tij të kthehet sa më parë në shtëpi, pasi është i pafajshëm.

Zoti Gani, djali juaj akuzohet se ka vjedhur një mjet në Durrës ditën e shtunë, me datë 23 shkurt, automjet që më pas është përdorur në vrasjen e komisarit Dritan Lamaj…

Nuk është aspak e vërtetë dhe jam shumë i shqetësuar për faktin që po akuzohet djali im për këtë çështje. Ai nuk ka lidhje fare dhe është i pafajshëm. Policia po e akuzon pa të drejtë.

Ku ishte djali juaj në ato orë kur ka ndodhur grabitja e mjetit?

Gentjani është nisur ditën e shtunë së bashku me të shoqen dhe djalin 3 vjeç për të bërë një seancë kemioterapie në një spital në afërsi të Kamzës. Nuk ka qenë fare në Durrës atë ditë. Në orën 18.00 është kthyer në shtëpi dhe së bashku kemi qenë duke parë televizor deri në orët e vona të natës. Po ndiqnim Big Brother. Më pas kemi shkuar të flemë. Policia nuk ka pse ta akuzojë kot, kur ai nuk ka qenë në Durrës.

Policia thotë se automjeti është vjedhur nga dy persona që po lëviznin me një makinë tjetër tip fuoristradë dhe që sipas saj i përket djalit tuaj…

Me sa di unë ata thonë se automjeti që dyshohet se është përdorur në vrasjen e komisarit të policisë është vjedhur nga një fuoristradë me ngjyrë të errët, por nuk i kanë targat e mjetit, pasi ka qenë errësirë. Po e theksoj se djali im nuk ka qenë fare në Durrës atë ditë dhe për më tepër në kohën kur ka ndodhur grabitja. Më vjen keq për atë që i ndodhi atij komisarit të policisë, por djali im është i pafajshëm dhe po e mbajnë kot brenda pa pasur prova.      

/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/