Një çift turistësh italianë ranë pre e grabitjeve në zonën e Lungomares, në Vlorë dy ditë më parë. Siç bëri me dije policia, një person ka thyer xhamin e automjetit të tyre dhe u ka vjedhur sendet personale.
Lidhur me ngjarjen ka dhënë një reagim sot edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili shprehet se është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit i cili rezulton me rekorde kriminale. Balla thekson se do të bëhet gjithçka që siguria të jetë pasaporta kryesore e pushimeve në Shqipëri.
“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë pas marrjes së informacionit që në një automjet në pronësi të dy turistëve italianë ishin vjedhur sende personale dhe një shumë parash, ka organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Brenda 24 orëve u bë i mundur arrestimi i autorit, i cili rezultoi të ishte një person me rekorde kriminale, i sapo liruar nga vuajtja e një dënimi të mëparshëm. Gjithashtu drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, falë edhe gatishmërisë së subjektit privat “Vlora Marina” kanë organizuar dhe kompensimin e menjëhershëm të shumës së parave tek dy turistët e huaj, të cilët do vijojnë pushimet e tyre në Vlorë. Do të bëjmë gjithçka që siguria të jetë pashaporta kryesore e pushimeve në Shqipëri, ndërsa ripërsëris mesazhin e fortë ndaj kujtdo se turisti është mik dhe në besën e shqiptarëve, gjatë çdo momenti qëndrimi në Shqipëri. Policia e Shtetit do tu garantojë qëndrim të sigurtë në Shqipëri çdo pushuesi dhe çdo qytetari”, shprehet Balla në reagimin e tij.