Abuzimet e bëra vitet e fundit me pronat në bregdet kanë bërë që qeveria të pezullojë regjistrimin e titujve të pronësisë në bregdet. Arsyet i bën të ditura në një deklaratë për mediet, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj në krah të kreut të Hipotekës Elion Semanaj dhe atij të ALUIZNI-t Artan Lame.

Ministrja Gjonaj sqaroi se VKM-ja nuk cenon pronarët e ligjshëm, por do kalojnë në sitë të gjithë titujt e lëshuar në zonat bregdetare.

“Qeveria ka vendosur pezullimin e titujve të pronësisë në bregdet dhe reformën e pronës në tërësi. Ftoj pronarët të adresojnë shqetësimet e tyre për këtë vendimmarrje. Në asnjë mënyrë ky vendim nuk prek të drejtat e ligjshme të pronarëve. Pezullimi i përkohshëm ka ardhur si pasojë e një situate të jashtëzakonshme në bregdet. Ky proces i nisur në ’91-shin me ligjin 7501 që kishte si qëllim të vetin ndarjen e tokës së ish-kooperativave, rezultojnë në abuzime të funksionarëve shtetërorë, komisione fshatrash, kryetarë komunash për përfitime. Këta kanë ndarë dhe përvetësuar toka dhe zona bregdetare që kurrë nuk kanë qenë prona të kooperativave përfshirë brezin pyjor dhe ranor në bregdet. Janë ndarë si toka bujqësore, zona e plazheve, pyjet në bregdet, kënetat dhe moçalet, janë kthyer tokat e pafrytshme në toka bujqësore. Prona që kanë qenë prona shtetërore, poligone, reparte ushtarake, monumente kulture. Për pasojë vendimi parashikon pezullimin e regjistrimit të pronave në Hipotekë deri në verifikimin e titujve të lëshuar”.

Ministrja e Drejtësisë paralajmëroi gjithashtu se abuzuesit e pronave do marrin ndëshkim ligjor.

“Pronat nuk do shkojnë kurrsesi tek abuzuesit”, deklaroi Gjonaj.