Gjashtë efektivët e kompanisë private, që shoqëronin 3.8 milionë eurot nga Tirana drejt Rinasit, dyshohet se bashkëpunuan me grabitësit. Burimet thonë se gjatë marrjes në pyetje, veçmas nga njëri-tjetri, deklarimet e tyre nuk përputhen në disa raste edhe pse kanë qenë së bashku në momentin e grabitjes. Tre prej punonjësve të arrestuar, thonë se makina me të cilën grabitësit i kanë zënë rrugën, Fuorostrada “JEEP Grand Cheroke” ka qenë me mbishkrim policie dhe feneline. Tre te tjerët e mohojnë këtë fakt, duke përshkruar vetëm se ajo ishte makinë e zezë dhe pa fenelinë policie. Sipas abcnews.al, edhe në përshkrimin e veshjeve, dy nga efektivët thonë se grabitësit ishin me rroba të ngjashme me ato që veshin forcat e ndërhyrjes së shpejt të policisë dhe me maska. Këtë version e hedhin poshtë 4 të arrestuarit e tjerë, ata i kanë thënë hetuesve se grabitësit ishin të veshur me tuta sportive dhe maska në kokë.

Përveç kësaj, shoferi i makinës së blinduar, ku ndodheshin paratë së bashku me personin shoqërues në makinën e tij, nuk bënë asnjë veprim për t’i ikur grabitësve. Ata kanë ndaluar makinën sapo i është zënë rruga. Edhe pse karroceria dhe xhamat e mjetit ishin të blinduara, ata nuk kanë tentuar të largohen, të kundërpërgjigjen apo të telefonojnë policinë, por kanë pritur pasivë brenda në makinë.

Grabitësve i është dashur rreth 1 minutë e gjysmë kohë, që me sende të forta të hapin një vrimë në xhamin e blinduar nga ku e kanë futur tytën e automatikut Kallashnikovit, duke i kërkuar të hapnin derën.

Pas këtij kërcënimi, punonjësit nga brenda mjetit kanë hapur dyert dhe grabitësit kanë marrë thasët e mbushur me dollar amerikan, Australian, kanadez dhe paund britanik, që në total kapin shifrën e 3.8 milionë eurove.

Pas grabitjes, ata janë larguar për disa kilometra ku kanë djegur makinën dhe janë larguar me një mjet tjetër, që për policinë është ende i paidentifikueshëm, si mjeti ashtu edhe grabitësit e kësaj shume të madhe parash.

Prokurorët dyshojnë se nga mënyra e grabitjes, janë të njëjtët persona që grabitën parat e një spitali privat, paratë e bankës së nivelit të dytë në afërsi të stacionit të trenit dhe disa muaj pas kësaj ngjarje, grabitjen e makinës që transportonte parat drejt Rinasit. Në 4 rastet e grabitjes me armë të shumave të mëdha parash, policia nuk ka gjetur autorët.