Është liruar nga burgu një nga autorët e dyshuar të grabitjes nën kërcëimin e armës të noterit Thoma Kaçi në Sarandë.
Vendimi i Gjykatës së Sarandë për lirimin e 52-vjeçarit Elis Avduli është dhënë me datën 16 shkurt, por është bërë publik rreth 1 muaj më vonë.
Elis Avdulit, i cili akuzohet për “vjedhje me armë” në bashkëpunim, iu është ndryshuar masa e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Detyrim paraqitje” për shkak se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit.
Prokurori i çështjes ka kërkuar të dërgojë çështjen për gjykim duke e dorëzuar në gjykatë.
Por pas disa seancash, në 15 shkurt të këtij viti, gjyqtari paraprak ka refuzuar duke deklaruar të pavlefshëm aktin procedurial të prokurorit Ilir Hoxha “Kërkesë për dërgimin në gjyq të çështjes”, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë për procedimin penal nr. 687, të vitit 2021, pasi sipas gjyqtarit “është nxjerrë në kundërshtim me nenet 327 dhe 331/2 të Kodit të Procedurës Penale” duke urdhëruar kështu kthimin e akteve Prokurorisë.
Në të njëjtën ditë, Elis Avduli përmes dy avokatëve të tij Ermir Beta dhe Armando Cakrani ka bërë kërkesë në gjykatë për shuarje të masë së sigurimit “Arrest në burg”, e cila u shqyrtua një ditë më pas, më 16 shkurt.