Një prej anëtarëve të bandës që fshihet pas grabitjes më të madhe në Britani është martuar disa muaj pasi është liruar nga burgu para kohe, shkruajnë mediat.
Jetmir Bucpapa, u burgos në vitin 2008 së bashku me 6 persona të tjerë për grabitjen e 53 milionë Paundëve nga depo e Securitas në Tonbridge të Kentit. Autoritetet nuk kanë gjetur ende 30 milionë Paund nga kjo grabitje dhe Bucpapa ka bindur gjykatësin se nuk ka asnjë pjesë të kësaj sasie parash të humbura. Për këtë arsye ai u urdhërua që të ripaguajë vetëm 1 Paund dhe la qelinë.
Mediat e huaja shkruajn se shqiptari u dënua me 15 vjet burg për grabitje, rrëmbim dhe armëmbajtje pa leje. Vitin e kaluar ai u lirua nga burgu dhe u deportua. Shqiptari ka qenë i martuar me një shtetase britanike, Rebecca, e cila kishte premtuar se do të qëndronte pranë tij, pavarësisht se ai ishte në burg. Megjithatë, ata u ndanë.
I riu nga Tropoja vendosi të martohet me një shtetase shqiptare me iniciale B.D. në vendlindjen e tyre në Tropojë. Më pas ata kanë udhëtuar me avion për muajin e mjaltit. E kontaktuar nga “The Mirror”, gruaja 34-vjeçare e Bucpapës mohoi që të tregojë se ku i kaluan pushimet, por tha se gjithçka “ka qenë shumë e veçantë”.