Policia ka reaguar sa i takon grabitjes së ndodhur në fshatin Dom të Klosit, ku rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, një grup personash kanë hyrë në banesën ku ishin nëna dhe i biri i saj dhe u kanë grabitur 8 mijë euro dhe miliona lekë nën kërcënimin e armës.

Në reagimin e bërë thuhet se për ngjarjen e ndodhur, janë shoqëruar në polici gjashtë persona, ndërsa ende nuk janë identifikuar autorët.

Njoftimi i plotë:

Rreth orës 03.30, datë 02.10.2022,  në fshatin Dom, Klos, persona ende të paidentifikuar dyshohet nën kërcënimin e armës, janë futur në banesën e shtetases Sh.Ll,  e cila ndodhej në banesë së bashku me djalin e saj   dhe me forcë   ju kanë marrë një shumë të konsiderueshme vlerash monetare.

Shërbimet e Policisë kanë  shoqëruar 6 persona në Komisariat, dhe vijon kontrolli i zonës  për kapjen e personave të  përfshirë në këtë ngjarje.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes.