Policia e Durrësit ka shoqëruar 36 persona, të cilët po pyeten në lidhje me grabitjen që ndodhi dje në Rinas, për të hedhur dritë më shumë rreth ngjarjes.

10 prej tyre janë punonjës të kompanive private të sigurimit “Nazeri” dhe “Jaguar” të cilat transportonin paratë që u grabitën në aeroportin e Rinasit. Sipas të dhënave, mësohet se ata kanë deklaruar para uniformave blu se i kanë dorëzuar paratë në rregull deri në Doganë dhe nuk janë përgjegjës për çfarë ndodhi më pas.

Një ditë më parë, në vetëm 7 minuta, nga një prej portave hyrëse e aeroportit “Nënë Tereza” 3 grabitës të armatosur kanë arritur të marrin mbi 3 milionë euro dhe të largohen pa u pikasur nga forcat e sigurisë së kompanisë private.

Policia e Shtetit nisi një operacion masiv, por nuk ka arritur në gjurmët e autorëve të cilët pas grabitjes kanë djegur dhe automjetin. Kjo ngjarje ndodhi mesditën e së enjtes rreth orës 14:45, vetëm 24 orë pasi aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas shtoi masat e sigurisë pas shpërthimeve terroriste në aeroportin “Ataturk” të Stambollit në Turqi.

Hetuesit dyshojnë se ky grup është i përfshirë edhe në grabitje të tjera të parave të bankave.