Vëllai i Nazmi Çangut, biznesmenit që i grabitën banesën mëngjesin e sotëm ka rrëfyer detaje të reja lidhur me ngjarjen në fjalë.
Në një prononcim për News24, ai thotë se autorët hynë në banesë duke e hapur derën me trapan. Ai thotë se biznesmeni është përleshur me grabitësit të cilët ishin të armatosur.
Ata kanë qenë të maskuar dhe për më tepër kanë tentuar të hapin dhe një prej makinave të biznesmenit.
“U futën drejt për në kat të dytë. Kjo është dhoma e gjumit të çiftit, ja çfarë ka ndodhur këtu (dhoma e përmbysur). Ja kasaforta. (e hapur dhe e zbrazur). Dhoma e çunit, këtu mbrëmë ka fjetur Nazmiu, kanë thyer derën këtu, kanë hyrë brenda dhe janë përleshur me njeri-tjetrin, me automatik. Njollat e gjakut janë të Nazmiut dhe përleshjes, e kanë përplasur në mur.
Aty ka hyrë i pari (muri i jashtëm), i maskuar dhe ka marrë rrugën pas mandarinës në oborr. Ka provuar dy makinat dhe më pas ka bërë hapjen me trapan të bravës së derës. makina është e dëmtuar, e kanë provuar me kaçavidë. Ka tentuar ta hapin dhe makinën tjetër, por nuk kanë mundur ta hapin se kjo është makinë më e re”, deklaroi vëllai i kryefamiljarit.
Në vitin 2017, Nazmi Çangu është arrestuar nga policia e Krujës pasi ka kanosur prokurorin i cili dha një dënim maksimal për djalin e biznesmenit, i cili u kap me 9 kg kanabis.
Gjithashtu sipas policisë, blutë ushtruan kontroll në banesën e biznesmenit ku gjetën dhe sekuestruan 76 kg kanabis sativa.