3dhjetor 2015 – Zbardhen të tjera detaje nga grabitja spektakolare sot në Kashar, të një automjeti që po transportonte paratë e një banke në drejtim të Rinasit për t’u transportuar jashtë shtetit.
Kanë qenë 5 persona të cilët të veshur me uniformat e forcave speciale të RENEA-s, i kanë zënë pritë automjeteve të bankës në zonën e Kasharit.
Makina e blinduar që transportonte një shumë të madhe parash, që dyshohet se është rreth 100 mijë euro, ku ndodhej shoferi dhe një polic i kompanisë private të sigurisë, po lëvizte në drejtim të Rinasit, e ndjekur nga një tjetër automjet brenda të cilit ndodheshin edhe katër policë të tjerë privat, shkruan Panorama.
Autorët i kanë dalë përballë, dhe i kanë prerë rrugën. Kanë dalë nga autmojeti i tyre dhe në vendin ku kthehesh për në Domje, kanë qëlluar në ajër dhe kanë nxjerrë të gjashtë personat nga makinat e i kanë shtrirë përtokë. Kanë marrë lekët dhe janë larguar në drejtim të Tiranës, por dyshohet se në Vorë, kanë braktisur automjetin me të cilin bënë grabitjen, i kanë vënë flakën dhe më pas janë larguar me një tjetër automjet.
Nisur nga përshkrimi që kanë bërë në polici të grabiturit, pasi të gjashtë personat që transportonin lekët janë shoqëruar në polici, dyshohet se kemi të bëjmë me një grup profesionist grabitësish, të cilët edhe disa kohë më parë kanë kryer një grabitje të parave të një tjetër banke me një tjetër skenar.
Edhe në grabitjen e mëparshme, autorët automjetit të tyre i kanë vënë flakën dhe e kanë braktisur në të njëjtën zonë që u gjet edhe sot makina e djegur.
/portali DurrësLajm/