Janë shtuar frikërat se bizhuteritë e vjedhura nga Muzeu i Luvrit mund të jenë nxjerrë në shitje në tregun e zi.

Sipas informacioneve të gazetës gjermane BILD, një pjesë e bizhuterive është ofruar përmes një kompanie sigurie izraelite që operon në “dark web”, hapësirë ku shpesh zhvillohen transaksione të paligjshme.

Televizioni RTL intervistoi një ish-hajdut profesionist, i cili hodhi dritë mbi mënyrën se si mund të jenë zhdukur bizhuteritë.

“Shpesh bëhet fjalë për porosi të posaçme nga miliarderë të pasionuar pas këtij lloji bizhuterish,” deklaroi ai, duke nënkuptuar se vjedhja mund të ketë qenë e organizuar me kërkesë të koleksionistëve privatë.

Nga ana e tij, eksperti i sigurisë kibernetike Nicolas Hernandez theksoi se ekziston mundësia që gurët e çmuar të Luvrit të shfaqen në dark web, ku pagesat kryhen me kriptomonedha për të ruajtur anonimitetin dhe për të shmangur çdo gjurmim.

Profili i të arrestuarve

Të enjten, autoritetet franceze ndaluan edhe pesë persona të tjerë në lidhje me atë që mediat e kanë quajtur “grabitja e shekullit”.

Këto arrestime pasuan kapjen e dy burrave të tjerë fundjavën e kaluar, të cilët tashmë janë zyrtarisht të akuzuar dhe në paraburgim që nga mbrëmja e së mërkurës. Rreth 100 hetues janë angazhuar për të mbledhur informacione dhe për të ndërtuar profilin e plotë të autorëve.

Bizhuteritë e vjedhura, me vlerë rreth 88 milionë euro, ende nuk janë gjetur.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi në një konferencë për shtyp se dy të arrestuarit e parë “kanë pranuar pjesërisht faktet”.

“Sipas hetuesve dhe prokurorisë, deklaratat e tyre janë minimale në krahasim me provat që kemi në dosje,” sqaroi ajo për radion RTL.

“Duke parë të kaluarën e tyre penale, nuk mund të themi se bëhet fjalë për figura të rëndësishme të krimit të organizuar,” shtoi Beccuau.

Ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, publikoi të premten (31 tetor) në TF1 rezultatet e hetimit administrativ mbi grabitjen në Luvër dhe njoftoi modernizimin e sistemeve të sigurisë të muzeut gjatë muajve në vijim.

“Kjo është një dështim i sigurisë dhe një dështim për të gjithë ne,” deklaroi Dati. Ajo kërkoi krijimin e një departamenti të ri sigurie dhe mbrojtjeje, që do të sigurojë një “vështrim të plotë mbi rreziqet e ndërhyrjes dhe vjedhjes”.

Gjithashtu, ajo theksoi se trajnimet për personelin e sigurisë do të bëhen të detyrueshme dhe muzeu do të pajiset me teknologji të reja mbrojtëse.

Sipas ministres, në muze ka ekzistuar “një nënvlerësim kronik i rrezikut”, ndërsa sistemet e sigurisë ishin “të vjetruara dhe joefektive”, duke krijuar terrenin për një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e artit botëror.

Ministria Franceze e Kulturës ka publikuar një listë të bizhuterive të vjedhura nga hajdutët në shtatë minuta.

Kurorë nga seti i bizhuterive të mbretëreshës Maria Amalia dhe mbretëreshës Hortense

louvre kurore stolite grabitja (8)

Gjerdani nga seti i safirëve të Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense:

louvre kurore stolite grabitja (7)

Vathë nga seti me safirë i Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense

louvre kurore stolite grabitja (6)

Varëse smeraldi nga koleksioni i perandoreshës Maria Luiza

louvre kurore stolite grabitja (5)

Një palë vathë smeraldi nga i njëjti set

louvre kurore stolite grabitja (1)

Karficë me relike 

louvre kurore stolite grabitja (4)

Kurora e perandoreshës Eugenia

louvre kurore stolite grabitja (3)

Karficë në formë fjongoje e perandoreshës Eugenia, një objekt unik me 2,634 diamantë, i blerë nga Luvri në vitin 2008 për 6.72 milionë euro, pasi kishte qenë më parë në një koleksion privat në SHBA.

louvre kurore stolite grabitja (2)