Maqedoni, 29 korrik 2014 – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Dibrës nga ana maqedonase. Një shqiptar shtetas i Shqipërisë, pjesë e një grupi prej 6 grabitësish të maskuar ka mbetur i vrarë, ndërsa 4 persona të tjera janë plagosur.
Gjashtë persona të maskuar kanë tentuar të grabisin argjendarinë e vëllezërve Erebara nga Dibra, sot rreth orës 13:15.
Gjatë grabitjes, hajdutët hasën në rezistencën e pronarëve të dyqanit. Në rrethana të paqarta ka pasur shkrehje arme zjarri që çoi në vrasjen e të dyshuarit të maskuar, që rezultoi se ishte shtetas i Shqipërisë. Policia maqedonase ende nuk ka konfirmuar emrin e viktimës.
Në këtë ngjarje kanë mbetur të plagosur edhe 4 persona të tjerë. Njëri nga plagosurit është pronari i dyqanit, Mexhit Erebara i cili është dërguar për mjekim të mëtejshëm në Shkup.
I plagosuri i dytë është taksisti Agron Cami, i cili ishte marrë peng në planin e grupit me maska, për mbërritjen dhe për largimin nga vendi i ngjarjes. Dy të plagosurit e tjerë janë shtetas shqiptarë të Shqipërisë, të cilët janë dërguar për mjekim në spital dhe po mbahen nën ruajtje policore pasi dyshohen si bashkautorë të grabitjes tragjike.
Aktualisht, policia ka mbyllur të gjitha hyrje-daljet nga qyteti si dhe vendkalimin kufitar me Shqipërinë në Bllatë.
Sipas kreut të komunës së Dibër, Ruzhdi Lata, për momentin po mbizotëron një gjendje kaotike në këtë qytet. Sipas tij, 6 persona të maskuar kanë rrëmbyer një taksi, kanë ardhur në qendër të qytetit janë futur në dyqanet e argjendarisë së vëllezërve Erebara dhe kanë plaçkitur gjithçka ka pasur në ato dyqane.
“Një pronar është i plagosur, një tjetër që është qytetar i Dibrës edhe ai është i plagosur dhe që të dy janë dërguar me urgjencë për në Shkup. Fatkeqësisht në vendin e ngjarjes prej orës 11 e deri më tani nuk është komandanti i policisë, nuk është inspektori i krimeve, policia në Dibër nuk funksionon…”,ka thënë Lata, raporton Zhurnal.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





