Një grabitje me armë ka ndodhur në autostradën Lushnje – Fier në orët e vona të mbrëmjes të së dielës. Sipas informacioneve paraprake, grabitja ka ndodhur në zonën e quajtur “pushimi i shoferit”.

Autorët kanë grabitur drejtuesin e një automjeti. Ata i dolën para makinës duke i bllokuar rrugën me automjetin e tyre dhe nën kërcënimin e armës i morën telefonin.

Bazuar në kallëzimin e shoferit, autorët ishin të armatosur, njëri me kallashnikov e tjetri me pistoletë.

Mjeti me të cilin grabitësit bllokuan rrugën ishte me targa angleze dhe dyshohet të jetë i vjedhur.

Pas grabitjes autorët u arratisën ndërsa shoferi i mjetit që u grabit bëri denoncim. Policia ka ngritur postblloqe për kapjen e tyre.