Persona të paidentifikuar kanë grabitur një banesë në Fushë-Krujë.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në banesën e shtetasit Isuf Çela 65 vjeç, në zonën e SMT-së.

Mësohet se autorët kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Ata kanë hyrë në banesën e 65-vjeçarit duke i marrë një sasi parash, por ende nuk dihet shuma.

Çela ka një biznes privat për rregullimin e elektro-shtëpiakeve.

Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Njoftimi i policisë së Durrësit:

Sot rreth orës 12:00, në lagjen "Punëtori", në Fushë-Krujë disa persona ende të paidentifikuar, dyshohet njëri prej tyre me armë, kanë hyrë në banesën e një shtetasi dhe kanë grabitur një sasi lekësh.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.