Ushtarakët shqiptarë do të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama këtë të enjte, teksa theksoi se ‘kjo do të ndodhë në pak vitet që vijnë dhe jo pas 10 vjetësh’.
“Sot shpërblimi për ushtarin më të thjeshtë të Forcave të Armatosura me arsimin më të ulët është një shpërblim, i cili jo vetëm është mbi pagën minimale në mënyrë të ndjeshme, por është një shpërblim që do shkojë në rritje çdo vit. Sepse ne i kemi rritur pagat e Forcave të Armatosura, në vijim dhe do të vazhdojmë t’i rrisim. Ambicia jonë është që të gjithë ata që veshin uniformën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë kur shkojnë në misione ndërkombëtare të mos ta shikojë asnjë nga poshtë lart prej kolegëve të tyre të vendeve të NATO-s. Ushtarakët tanë do të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s dhe kjo do të ndodhë jo pas 10 vjetësh, por në pak vitet që vijnë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë e bëri deklaratën në një ceremoni për gradimin e sportistëve të nivelit të lartë. Ditë historike për sportin dhe Forcat e Armatosura e konsideron Kryeministri Edi Rama gradimin e tyre. Ai tha se përfshirja e këtyre kampioneve në Forcat e Armatosura përbën një vlerë të shtuar morale dhe profesionale.
Kreu i qeverisë u shpreh se kampionët shqiptarë dalin nga zona e braktisjes dhe harresës nga shteti.
“Kampionët dhe kampionet shqiptare tanimë të dalë përfundimisht nga zona e errët e braktisjes dhe harresës nga shteti do të jenë në mes ushtarëve tanë, do të jenë në mes drejtuesve të tyre, do të jenë në mes të gjitha atyre përpjekjeve për ta ngritur më lart ushtrinë tonë duke e vënë forcën e shembullit të tyre dhe njëkohësisht shembullin e forcë së tyre në dispozicion të trajnimit dhe stërvitjes psikofizike të forcave tona”, u shpreh Rama.
Shtatë sportistët shqiptarë Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, të shpallur kampionë olimpikë, botërorë dhe europianë u nderuan sot me gradën e lartë ushtarake “Kolonel”, duke u bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.