Gjatë gjithë punimeve të sotme të seancës plenare, kryeparlamentari Gramoz Ruçi nuk ka kursyer asnjë deputet apo ministër për tejkalimin e kohës në foltore.

Pasi i ndërpreu fjalën, ministreve Olta Xhaçka dhe Elisa Spiropali, Ruçi nuk fali as Lefter Kokën, i cili ka mbetur pa parti pas refuzimit për të djegur mandatin e deputetit nga rradhët e LSI. Deputeti Koka ka marrë fjalën sot në Kuvend, por ndërsa lexonte është ndërprerë nga Ruçi, që i ka kujtuar se e kishte harxhuar kohën në dispozion.

DEBATI NË PARLAMENT: 

Koka: Në media janë shfaqur disa problematika si Babalja apo përgjimet e tjera. Por ai polici në Dibër nuk kishte mundësi të bënte aq sa i kërkonte Ulsiu. Nuk mund t’i merrte 200 vota PD. PD i humbte zgjedhjet pasi elektorati e kishte humbur besimin pas marrëveshjes Rama-Basha.

Ruçi: Lefter të mbaroi koha!

 

Koka: Mos ma ndërprit fjalën se jam dhe pa parti!

Fjala e plotë e deputetit Koka:

I nderuar Kryetar, Të nderuar Kolegë,

Sot doja të ndalesha në fenomene dhe shqetësime sa lokale dhe kombëtare por njëherazi dhe globale, si migracioni në qytetet më të zhvilluara industriale e sociale, por edhe emigracioni drejt vendeve më të zhvilluara; përqëndrimi i kapitaleve monetare në një përqindje shumë të vogël të popullatës e për pasojë edhe zhveshja e pushteteve nga administratimi i pronave publike, aseteve natyrore dhe kalimi i tyre te privati. Fenomene të pashmangshme globlale këto që fatkeqësisht po prekin dhe vendin tonë.
E ndërsa në shumë vende të Evropës me demokraci të konsoliduar pozita e opozita bashkëpunojnë në mënyrë të vazhdueshme për të frenuar këto fenomene dhe vendosur disa ekulibra jo pak të vështirë, shpesh në vendin tonë ndodh e kundërta. Kemi parë opozitën jashtë parlamentit, që me aksionin e saj shpesh paragjykon , akuzon apo kërkon të mbajë në presion konstant qeverinë. Unë nuk besoj se kjo i shërben sa diskutuam përkundrazi largon vëmendjen nga ky realitet i pranishëm sot edhe në Shqipëri. Nëse ne sot do kishim një opozitë që të garantonte aplikimin e planeve që të rinjtë shqiptare të mos aplikonin në ambasadat e huaja , apo të rinjtë spanjollë ose portugezë të aplikonin në ambasadat tona do thonim Mirësetëvinë. Por unë besoj ky është një mision shumë i vështirë për ne politikanët. Unë ju bëj thirrje të ulemi së bashku sa më shpejt, përndryshe Shqipëria jonë do të ngelet për një kohë të gjatë si një akademi që nxjerr talente për të kontribuar gjetkë në Evropë.

Dy nga shqetësimet e opozitës së sotme janë devijimi i votave dhe reforma zgjedhore.
Kam parë përgjatë kohëve të fundit që shumë fenomene marrin një kohë jo të vogël televizive siç janë rastet e përgjimeve , fenomene shqiptarë këto sot, rasti Babalja apo përgjimet e zgjedhjeve të 2017. Unë nuk jam këtu apo nuk mundem unë të vlerësoj vlefshmërinë e përgjimeve. Por një gjë mund ta garantoj… Se e ka të pamundur ai punonjësi i policisë, i cili e kishte ambicien më të vogël dhe se ç’e kishte Ulsiu për të , t’i heqë Partisë Demokratike rreth 200.000 vota. Absolutisht e dënoj fenomenin e shitblerjes së votës, po kurrsesi për këtë nuk mund tí drejtojmë gishtin një individi. Kam bindjen se sjellja politike e liderve të PD-së, në Qershor të 2017 përçoi një perceptim te elektorati i djathtë , se jemi dhe do të jemi aleatë në bashkëqeverisje.
Reforma zgjedhore është pikë e rëndësishme padiskutim, por politika duhet të reformohet, administrimi i këtyre proçeseve kyçe nuk mund dhe nuk duhet asesi të bëhet nga militantë të asnjë force politike. Janë reforma vendimtare për ardhmërinë e vendit, e ndaj të gjithë ne duhet t’i trajtojmë me seriozitetin maksimal.

E sa i përket përqëndrimit të kapitaleve që e preka dhe më lart ky fenomen, si edhe në shoqëritë demokratike të zhvilluara sot prek dhe Shqipërinë; unë besoj se asnjë qeveri as sot dhe as nesër nuk duhet të punojë e të ketë qëllim të pengojë këtë grupim. Përkundrazi së bashku të hartojmë plane të qarta dhe afatgjata me vizionin e qartë se shqiptarët mund ta shohin dhe ndërtojnë të tashmen e të ardhmen këtu në Shqipëri.

Tjetër temë që doja të ndaja me ju është proçesi i pakthyeshëm i Shqipërisë në rrugën e saj euro-atlantike, në rrugën tonë të anëtarësimit në BE dhe angazhimin e politikës në të. Pak vite më parë shqiptarët gëzuan po aq sa ne politikanët, që me të madhe deklamonim Shqipëria vend kandidat në BE . Ndërkaq sot me ankth shqiptarët po presin nëse Tetori do të jetë muaji pozitiv për çeljen e negociatave a jo. Do të ndodhë e mira apo e keqja?

Të nderuar Kolegë,
Pjesë e familjes evropiane do të jenë shqiptarët. Populli ka nevojë të jetë i mirëinformuar për të gjitha fazat dhe një proçes kompleks siç ështe çelja e negociatave. Është detyra jonë të informojmë ata që me votën e tyre na kanë besuar përfaqësimin, për sfidat që të gjithëve na presin dhe për detyrimet që rrugëtimi drejt anëtarsimi drejt BE-së na sjell.

Dhe për ta mbyllur, më duhet të përgëzojë cdo strukturë shtetërore në nivel lokal apo qëndror për gatishmërinë gjatë situatës dramatike që u përball vendi me tërmetet apo përmbytjet që vijuan, duke dashur t’ju sjell në vëmendje se Shqipëria me relievin që ka , përmbytjet i ka të pashmangshme, ndaj strukturat shtetërore duhet të nisin sa më shpejt bashkëpunimin më kompanitë që operojnë në fushën e nxjerrjes së inerteve nga shtretërit e lumenjve

Ju faleminderit