Një shqiptar drejt Bayern Munchen, për të marrë rolin e pasardhësit të Xabi Alonsos. Kampionët e Gjermanisë po vëzhgojnë Granit Xhakën për rolin e organizatorit në qendër të mesit të fushës. Kjo është deklarata e Ottmar Hitzfeld, sipas të cilit përveç bavarezëve, emri i 24-vjeçarit përflitet edhe në klubet e tjera më të mëdha europiane.
“Nuk ka dyshim që Xhaka është në radarët e Bayernit”, tha Hitzfeld, i cili shtoi se “Graniti është një lojtar që po vazhdon të rritet dhe mbahet nën vëzhgim edhe nga klubet e tjera të mëdha në kontinent”.Deklarata të rëndësishme këto nga Hitzfeld, që i njeh mjaft mirë palët e përfshira. Pasi ka drejtuar dy herë Bayernin nga viti 1998 deri më 2008-ën, trajneri punoi edhe në krye të stolit të përfaqësueses zvicerane, ku kishte mundësinë ta ndiqte nga afër Granit Xhakën. Pas transferimit te Arsenali gjatë verës, për shifrën e 40 milionë eurove, mesfushorit i është dashur kohë për tu përshtatur me stilin e futbollit në Premier League, ndërsa lojtari është kritikuar edhe nga trajneri Wenger për problemet disiplinore në fushë dhe ndëshkimin e tepruar me kartonë.
Megjithë këtë situatë, Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet në Bundesligën gjermane. Vëllai i kuqeziut, Taulant Xhaka, së bashku me sulmuesin Alexis Sanchez e mesfushorët Mesut Ozil dhe Alex Oxlade-Chamberlain mund të jenë në listën e yjeve që do të largohen në fund të sezonit, ku te Arsenali pritet të ndodhin ndryshime rrënjësore pas një tjetër edicioni zhgënjyes.