13 shkurt 2015 –  Migjen Basha mund të rikthehet në Zvicër pas më shumë se një dekade. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare që këtë vit nuk ka luajtur asnjëherë për Torinon për shkak dëmtimi kërkohet nga Grashopers, klub në të cilin është aktivizuar dhe vëllai i tij Vullneti në sezonin 2010/2011.

Sipas asaj që bëhet e ditur nga e përditshmja zvicerane "Blick", Grashopers në verë do të kërkojë të sigurojë shërbimet e mesfushorit të përfaqësueses shqiptare duke qenë se në qershor atij i përfundon dhe kontrata me klubin italian.

Basha, më 5 janar të këtij viti, ditën që festoi dhe 26-vjetorin e lindjes u rikthye pas një kohe të gjatë në skuadër pasi u grumbullua nga trajneri Ventura për ndeshjen me Chievon në kampionat, megjithatë kondicioni i tij fizik nuk është ende optimal. Duke qenë se drejtuesit e skuadrës granata po ngurojnë të rinovojnë kontratën, Grashopers është gati të përfitojë për t'i ofruar atij një marrëveshje për sezonin tjetër. Për më tepër Basha shikohet si zëvendësues ideal i boshnjakut Salatic që mund të largohet nga Grashopers.

I pyetur për një transferim të mundshëm të Bashës në Zurich, drejtori sportiv i klubit të Grashopers Axel Thoma theksoi se lojtari i intereson, por nuk është vetëm ai në listë për merkaton e verës.