Tiranë, 5 maj 2014 – Kryeparlamentari Ilir Meta ka pritur sot ne ambientet e Kuvendit presidentin e senatit të Italisë Pietro Grasso.Presidenti i senatit italian shprehu kënaqësinë e tij që ndodhej në Shqipëri, pikërisht 2 muaj pas vizitës së presidentit italian Giorgio Napolitano. Grasso u shpreh se, Italia është një mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë. Ai theksoi se, vijueshmëria e reformave në sektorë të ndryshëm, përbën rëndësi themelore për të realizuar ëndrrën evropiane të shqiptarëve.

“Jam i lumtur që jam në Shqipëri. Unë e njoh vendin tuaj prej shumë kohësh, duke pasur parasysh edhe veprimtarinë time të mëparshme. Vizita ime dëshmon vazhdimësinë e marrëdhënieve më Shqipërinë, dhe vjen dy muaj pas vizitës së presidentit italian Napolitano në Tiranë. Gjatë kësaj vizite, pata rastin të shoh përparimet që ka bërë vendi juaj në vite, dhe shpreh bindjen se Italia do të mbështesë më tej integrimin e Shqipërisë në BE. Vijueshmëria dhe realizimi i reformave në sektorë të ndryshëm, dhe forcimi i shtetit të së drejtës, do të përbëjë bazat për të vijuar më tej me këtë bashkëpunim, dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”, – tha Grasso. 

Ndërkohë kryeparlamentari Ilir Meta u shpreh se, marrëdhënia e Shqipërisë me Italinë nuk ka nevojë për shumë komente pasi këto dy vende fqinje, e kanë treguar dinamikën në rritje të bashkëpunimit, dhe të shkëmbimeve njerëzore dhe kulturore.

“Niveli i marrëdhënieve me Italinë nuk ka nevojë për shumë komente. Shkëmbimet njerëzore dhe kulturore, po ashtu edhe partneriteti strategjik vihet re në të gjitha fushat. Vlerësojmë bashkëpunimin përsa i takon projektit TAP si një shtysë e fuqishme jo vetëm për bashkëpunimin tonë të mëtejshëm, por edhe për sigurinë energjetike evropiane. Italia është partneri më i rëndësishëm ekonomik e tregtar, me një prezence të gjerë të asistencës së saj në të gjithë sektorët. Ndërkaq, ftojmë sipërmarrësit italianë për më shumë investime në Shqipëri”, – tha Meta.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/