Tiranë, 5 maj 2014 – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Presidentin e Senatit të Republikës Italiane, Pietro Grasso.
Pasi bëri një paraqitje të shkurtër të marrëdhënieve mes dy vendeve, popujve dhe kulturave tona, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për gjithçka që populli dhe qeveritë italiane kanë bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe nënvizoi rëndësinë e partnerëve tanë në përpjekjet për ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e demokracisë dhe integrimin evropian, ndër të cilët, Italia luan një rol parësor të pazëvendësueshëm, duke shtuar se për këtë arsye e kemi konsideruar avokaten tonë të integrimit, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës.
Nga ana e tij Presidenti i Senatit Italian Grasso tha se, prania e tij në Tiranë pas vizitës së Presidentit Napolitano është shprehje e qartë e vijueshmërisë së vëmendjes së Italisë ndaj Shqipërisë dhe e mbështetjes së integrimit të saj evropian, që është pjesë e strategjisë italiane, e cila lidhet me nevojën e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkan, që përbën një interes të përbashkët dhe shtoi se, Italia mbetet realisht një mbështetëse e bindur e këtij misioni.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe politik ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë dhe shprehën bindjen se ka ende mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit në kuadër të Projektit TAP, të projekteve infrastrukturore dhe investimeve, veçanërisht në fusha si energjetika dhe bujqësia.
Presidenti Nishani dhe Kryesenatori Grasso vunë në dukje rezultatet e arritura falë bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe italiane në luftën kundër krimit të organizuar dhe shprehën bindjen në fitimin e kësaj lufte.
Presidenti Nishani vlerësoi lart eksperiencën, përkushtimin dhe profesionalizmin e Presidentit Grasso në këtë fushë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





