Gladiola Busulla, drejtoresha e Qendrës kulturore të Fëmijëve Durrës thekson se në kohën që po jetojmë po përballemi me një fenomen të pakonceptuar shekuj më parë. Përmbysja e mentalitetit se femra është një kukull, po tregon më së miri se gruaja është e aftë të realizojë ambicjet dhe objektivat e saj sidomos në aspektin profesional. Afirmimi i aftësive të femrave dhe evidentimi i vlerave që ato përcjellin dhe përfaqësojnë e bën një shoqëri më të hapur dhe më demokratike.

Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?

Gruaja sot po luan një rol protagonist në shoqëri, sepse ka treguar se është e zonja të shtrëngojë frerët e familjes dhe të punës. Shumëplanësia dhe dëshira për të qenë e suksesshme janë karakteristika determinante të gruas së këtij mijëvjeçari. Më në fund, arketipi femëror po kuptohet përtej funksionit të amësisë dhe kjo është shumë pozitive. Karriera është një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Unë dhe çdo grua tjetër në pozicionin tim përballemi me sfida të shumta, por e rëndësishme është të mos dorëzohesh kurrë. Ajo që i surprizon me tepër meshkujt është se ish-privilegjet mashkullore si: të folurit haptas, ngritja e zërit (atëherë kur duhet), stoicizmi dhe kundërshtimi, tashmë u përkasin dhe grave. Secila grua që nuk sillet si kukull, por si aktore protagoniste në jetën publike apo në institucionin që drejton mund të shërbejë si një model qendror për gratë e tjera. Vëllimin tim poetik “Inanna” ia kam kushtuar pikërisht këtyre grave. Forca, ekuilibri, talenti e kanë emrin grua, por që vartësit dhe sidomos eprorët të binden për këtë kërkohet dyfish lodhje, energji, efiçensë, përgjegjshmëri, impenjim.

A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?

Puna ime është e lidhur me aktivitete lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, funksioni im në Partinë Demokratike, aktivizimi në jetën artistike-kulturore të qytetit dhe pasioni im, poezia, bëjnë që të jem gjithnjë në lëvizje. Njëri nga parimet e mia më të rëndësishme është “të mos ulësh tempin”. Kjo nënkupton shumë orë jashtë familjes. Nëse prindërit argëtohen me fëmijët e tyre në festivalet dhe spektaklet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, unë jam pas kuintave ose në skenë, pra larg vajzës sime. Pavarësisht se më duhet të sakrifikoj në jetën familjare, duke qenë bashkëshorte dhe nënë njëkohësisht, kam patur gjithnjë me vete mbështetjen dhe mirëkuptimin e familjes sime, e cila është absolutisht, bekimi më i madh për mua.

A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?

Përgjatë gjithë historisë së njerëzimit, politika e burrave ka qenë të diskriminojë femrën dhe ta bindë se është inferiore e plot dobësi. Arsyeja kryesore është nënshtrimi i saj. E teksa gruaja po promovon me sukses vlerat e saj, teksa po realizon ambicjet dhe objektivat e saj, skepticizmi i burrave po shndërrohet në habi e do të guxoja të thoja, po derivon në xhelozi. Sepse po përmbysen mentalitetet, paragjykimet dhe tezat e gabuara. Jam e lumtur për brezin tim që po afirmohet dhe rritet profesionalisht në një kohë të tillë. Bindja ime është se gruaja dhe burri janë të ndryshëm, por duhet të kenë të njëjtat të drejta në çdo aspekt. Shoqërisë i duhen servirur imazhe grash të suksesshme, në mënyrë që të shërbejnë si inspirim dhe shembull. Gjithashtu shkëmbimi dhe ndarja e eksperiencave është një proçes me feedback pozitiv, në të mirë të emancipimit dhe integrimit të gruas.

Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?

Njëri nga mitet më të famshëm është ai i mollës së pemës së Hesperideve, me mbishkrimin “Më të bukurës”. Ashtu siç rivalizuan perëndeshat mes tyre, ashtu rivalizojnë dhe gratë. Jo më kot ekziston thënia se,- “gratë më shumë se për t’i pëlqyer burrave, zbukurohen për njëra-tjetrën”. Ndonëse femra konsiderohet mishërim i butësisë, i spiritualitetit dhe i tolerancës, përballja, konkurenca apo garimi mes tyre, mund të gjenerojë zili apo negativitete të tjera. Lufta brenda llojit ndikon në krijimin e raporteve delikate. Personalisht duke qenë tip i komunikueshëm dhe i drejtpërdrejtë, marrëdhëniet e mia me stafin, me eprorët dhe kolegët, qoftë meshkuj e femra janë pozitive dhe bazohen tek bashkëpunimi.

Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton? 

Gratë po triumfojnë bindshëm në të gjitha pozicionet drejtuese. Unë uroj që ato të ndihen gjithnjë të lira për të realizuar synimet dhe për të përmbushur ëndrrat e tyre. Këtë e ka shprehur më së miri Hillary Clinton, një model ideal për çdo grua në karrierë: “Kur gratë janë të lira të votojnë dhe të garojnë për detyra publike, qeveritë janë më efektive dhe të përgjegjshme ndaj popullit të vet. Kur gratë janë të lira të fitojnë dhe të fillojnë biznese të vogla, ato bëhen prijëse të rritjes ekonomike. Kur grave iu jepet mundësia e arsimimit dhe e qasjes në kujdes shëndetësor, familjet dhe komunitetet e tyre prosperojnë. Kur gratë kanë të drejta të barabarta, kombet janë më stabile, paqësore dhe të sigurta”.