Një studim i ri ndërkombëtar ka zbuluar se gratë kanë ndjeshmëri më të madhe dëgjimi se burrat, duke konfirmuar përshtypjen që shumë kanë pasur prej kohësh.

Studiues nga Britania dhe Franca testuan rreth 450 persona në 13 vende të ndryshme dhe zbuluan se gratë kishin mesatarisht 2 decibelë më shumë ndjeshmëri dëgjimi krahasuar me meshkujt në të gjithë spektrin e frekuencës.

Sipas ekipit, gratë treguan ndjeshmëri më të lartë në pjesën kokleare të veshit – zona që konverton valët e zërit për t’u interpretuar nga truri. Ato rezultuan gjithashtu më të suksesshme në teste të tjera akustike, duke treguar funksion më të avancuar si në sistemin periferik ashtu edhe në atë qendror të dëgjimit.

“U befasuam nga fakti që gratë kishin ndjeshmëri më të lartë në çdo popullatë që matëm,” tha Turi King nga Universiteti i Bath.

Studimi thekson gjithashtu se mjedisi, gjuha dhe mënyra e jetesës ndikojnë ndjeshëm në aftësitë e dëgjimit. Një shembull i veçantë ishte se njerëzit që jetojnë në pyje treguan ndjeshmëri më të lartë të dëgjimit.