E renditur e 78-ta, mes 135 vendeve të botës, Shqipëria rezulton si një vend ku gjendja e grave lë ende për të dëshiruar. Bëhet fjalë për raportin më të fundit të publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror “Gender Gap 2011” (Hendeku Gjinor Global), i cili merr në analizë situatën në të cilën ndodhet gjinia femërore në mbarë botën. Kështu, ai i jep Shqipërisë një vlerësim prej 0.675 pikësh, nga 1.00 i cili është niveli maksimal, për mundësitë që u paraqiten grave dhe ecurinë e tyre reale në sektorët jetësorë. Po ta krahasojmë nivelin aktual që i jep vendit tonë ky raport me atë të një viti më parë, shihet se nuk ka ndonjë ndryshim mes treguesve. Porse krahasuar me vitin 2009, ka një ndryshim të dukshëm, pasi atëherë Shqipëria renditej në vendin e 91-të mes 135 vendeve të listuara në botë, përmes të njëjtit raport, çka tregon se ka patur faktorë që e kanë ndryshuar nivelin e integrimit të femrave në shoqërinë shqiptare.
Raporti i këtij viti shton më tej tregues konkretë të gjendjes në të cilën gjendet femra në Shqipëri, si ai i nivelit të papunësisë, prej 28 për qind. Sikundër, citohet edhe fakti se kjo shifër është krahasimisht më e lartë se ajo e meshkujve të papunë, vetëm 19 për qind. Ndërsa vlerësohet me nivelin prej 5.6 për qind, ai i të qenit të grave si lidershipe në sektorin e biznesit.
Nga ana tjetër, jepet edhe mosha mesatare e martesës së një femre në Shqipëri, saktësisht 23 vjeçe. Duke shtuar se 5 për qind e tyre, martohen herët, në kufijtë moshorë 15-19 vjeçe. Por lidhur me këtë kategori, jepet edhe shifra prej 17 për qind e lindshmërisë së totalit, çka tregon se mjaft femra në Shqipëri lindin që herët.
Në fund, sa i përket situatës në të cilën gjenden femrat në botë, raporti i lartpërmendur citon faktin se “gjatë gjashtë viteve të fundit, është fakt se 85 për qind e vendeve të botës ka përmirësuar statusin e grave, edhe pse në aspektin politik dhe ekonomik, ka ende shumë për të bërë. Renditja tregon se vendi me gratë më të lira, cilësohet të jetë Islanda, siç ka qenë edhe përgjatë dy viteve të fundit. Pikërisht në këtë vend, mësohet se është arritur niveli më i lartë i barazisë gjinore: që nga niveli i shkollës, më tej ai i punës, për të kaluar tek politika dhe shëndeti. Ndërsa vendi më i keq në botë për situatën në të cilën gjenden femrat, është cilësuar Jemeni dhe më i rrezikshmi për jetën e tyre, Afganistani. Raporti gjithashtu jep edhe tregues të tjerë mjaft interesantë, si për shembull kur citon vende si Arabia Saudite, Jemeni, Katari, Omani apo Belize, të cilat nuk kanë as edhe një grua të vetme në Parlamentin e tyre. Por raporti nuk harron të përmendë edhe të kundërtën e një dukurie të tillë, kur flet për shembull për Sri Lankën, vendin që udhëhoqi për 23 vjet me gra si kryeministra etj.