Gratë e Uzinës së Ballshit i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku si dhe ambasadoreve gra që të vendosin dorën në zemër pasi ato si nëna dhe bashkëshorte kanë që dje me lot në sy në grevë duke shpresuar për zgjidhje.

Një prej grevisteve thotë se sa vite punë ka ajo, ministret e qeverisë Rama kanë vila, por ajo s’ka as bukë të hajë. Deri më tani në grevë janë 10 gra dhe premtojnë se do e çojnë deri në fund grevën derisa të ketë një zgjidhje.

“Përderisa e morëm këtë vendim, do vijojmë, derisa të na jepet një zgjidhje. Shpresojmë pse jo, po kërkojmë bukën tonë, gjakun tonë. Sa vite pune kemi ne, ato ministret i kanë shtëpi. Ku i gjetën ato? Ku i gjetën ato? Kam 36 vite në uzinë dhe s’kam një lekë të blej ilaçe. Ajo ka 36 vila. S’kemi të hamë bukë. S’kanë të çojnë fëmijët në shkollë.”– tha një prej grave.

“E sikletshme, me probleme, tension, alergji, diabet, gjëndra tiroide. S’ka më keq. I hymë kësaj rruge dhe do e çojmë deri në fund. Deri në zgjidhje përfundimtare.”- deklaroi një tjetër.

“Gjendja shëndetësore është rënduar shumë, ndryshe nga dje, ishim shumë të shqetësuara. Sot jemi më të rënduara pasi dëgjojmë dhe në media, ato fjalët që na vrasin si nëna, që thonë se gratë e uzinës së Ballshit po bëjnë shoë, nuk jemi gra të shoët o vlla, jemi gra punëtore të uzinës, jemi specialiste prej 35 vjet punësh mbi supet tona. Kemi hyrë 18 vjeçe dhe jemi plakur me thinja sot dhe jemi pa bukë. Ka qenë e vështirë nata e mbrëmshme. S’kishim medikamente. Ministrja Balluku duhet të më kuptojë si nënë, ose më mirë si grua. Një grua ulur në një stol 24 orë për një shpresë tek kryeministri. Domethënë punëtorët kanë të drejtë. Nuk lëvizim se s’kemi ku të shkojmë, vajza më kërkon shkollë të lartë, pa lapsa e fletore do e çoj. I thoshim mëso mëso, ma dha rezultatin, ku ta çojmë. I bëj thirrje kryeministrit, ministres, ambasadoreve gra, vendosni dorën në zemër, kanë që dje me lot në sy, ne këtu do rrimë nuk lëvizim.”– tha një greviste.