Nga Gladiola Busulla Jorgollari
Durrës 8 Mars 2014 – Dita Ndërkombëtare e Gruas e cila kremtohet çdo vit në të njëjtën datë, (8 mars) shërben për të kujtuar arritjet social-kulturore, ekonomike, dhe politike të gruas. Kjo ditë është një mundësi për të forcuar luftën kundër diskriminimit, një moment për të reflektuar mbi hapat që duhen hedhur akoma.
Sipas fakteve historike, besimet fetare kanë ndikuar negativisht në formimin dhe emancipimin e gruas, ndërkohë që udhëzimi i Perëndisë, nuk ka qenë ai që është predikuar. Në të vërtetë gruan s’e ka privuar Zoti nga të drejtat e saj, por egoizmi dhe xhelozia e burrave.
Mendoj se nëse gratë do të ishin respektuar plotësisht në të kaluarën, njerëzimi nuk do të vuante këtë kaos social, nuk do të përjetonte këtë mungesë qasjeje në sistemin e vlerave, pasi gratë përbëjnë pothuajse gjysmën e njerëzimit. Pra një gjysmë që ka mbetur e parealizuar, e privuar nga liria dhe të drejtat, kështu që kemi të bëjmë me një handicap shoqëror.
Pak nga pak jemi vetëshkatërruar dhe siç ndodh rëndom në të tilla raste, faji mbetet jetim. Në të gjitha shoqëritë, në të gjithë kulturat, njihet një fenomen i përbotshëm; pabarazia e gruas me burrin.
Shpeshherë gratë, jo vetëm që s’janë lejuar të zhvillojnë individualitetin e tyre, por janë kufizuar, edhe pse duket e pabesueshme, që të qeshin në liri të plotë. Dhe e qeshura e gruas, padiskutim është më e hijshme, më kumbuese, më e përzemërt se ajo e një burri. E qeshura dhe buzëqeshja janë thesarët e saj të çmuar, por ato vazhdimisht janë paragjykuar, shtypur e kritikuar.
Psikologjia e gruas është përçudnuar nga burri, i cili ka ushtruar presion mbi të duke e skllavëruar, duke e shndërruar në një qytetare të dorës së dytë. Nëse si tregues superioriteti shërben forca fizike apo muskujt, atëherë më duhet t’ju kujtoj, se shumica e kafshëve janë më muskulozë se burrat. ( Me gjithë respektin për ta!)
Personalisht dalloj vetëm një ndryshim kolosal midis burrave dhe grave, konceptin e të dashuruarit. Dashuria për burrin është një domosdoshmëri ose një përvojë fizike, kurse për gruan, dashuria është supreme, një përvojë e vërtetë shpirtërore. Kjo është dhe arsyeja qendrore pse gruaja priret drejt monogamisë, kurse burri drejt poligamisë.
Sjelljet pasive,(veç pohim, butësi e tolerancë) do ta shtynin gruan në greminën e robërisë, pa asnjë dyshim. Sepse me kalimin e kohës, nëse ajo nuk shfaq interesa, nëse nuk rebelohet ose nuk vetëmbrohet, detyrimisht do të skllavërohet. Ndërsa një burrë që shfaqet dukshëm agresiv, nervoz dhe i ashpër, atëherë ai është i prirur të ndërtojë një botë plot dhunë e privime.
Padyshim që gjatë shekullit të kaluar, janë kryer përparime të konsiderueshme në favor të grave, por trysnia e vazhdueshme ndaj tyre (nuk po përdor termin dhunë) tregon se barazia nuk është vetëm një çështje sociale, politike apo ekonomike, por është mbi të gjitha, një e drejtë themelore.
Përkujtimi i 8 Marsit përbën një revolucion në vetvete, por në fakt revolucion i jashtëzakonshëm do të ishte nëse pozita e gruas në shoqëri do të ishte po aq e vlerësuar, nëse opinionet e saj do të respektoheshin njëlloj, dhe nëse mundësia për të kontribuar do të ishte në të njëjtin nivel, me atë të burrit.
Gjithsesi bota ende vuan nga pabarazitë, kurse masat shtrënguese s’gjenerojnë tjetër, veçse efekte negative, në kuadër të të drejtave të grave.
Pas çdo burri të suksesshëm fshihet një grua e mençur. Gjithmonë kam pyetur veten “Përse kjo grua e mençur nuk i investon aftësitë dhe energjitë e veta për të shënuar suksese personale?!”, “Përse preferon të qëndrojë në hije apo përse nuk lufton që të dalë nga hija e burrit?!”.
Nëse gruaja në të gjithë botën, do të gëzonte mundësinë dhe lirinë e plotë për të shpalosur potencialin e saj, bota do të përfitonte dimensione të reja, këndvështrime të reja, perspektiva të tjera. Atëherë do të mund të bashkëpunonin dhe të rriteshin paralelisht, me të njëjtin intensitet, si burri, ashtu dhe gruaja.
Si çdo festë tjetër, dhe Festa e Gruas ka simbolin e saj, pikërisht lulen e mimozës, e verdhë, pakëz e ndrojtur dhe aromatike, e cila është ad hoc mishërim i 8 Marsit. (Për më tepër, kjo lule kushton pak, dhe gratë si nikoqire të mira, dhe në rast feste, nuk e lënë t’u shpëtojë ky detaj).
Mimozat çelin të parat dhe sfidojnë motin e ftohtë, ashtu si gratë përpiqen të sfidojnë shanset e munguara dhe pabarazinë. Ato duhet të ngrenë zërin, pa qenë nevoja ta paguajnë shtrenjtë këtë, paradoksalisht dhe nga vetë gratë. (Për fat të keq!)
Në një ditë si 8 Marsi, të gjitha femrat duhet të përfshihen në një shtrëngim solidar duarsh, të ndërgjegjësohen se duhet t’i japin mbështetje njëra-tjetrës dhe të reshtin “luftën e pakuptimtë” brenda llojit. Ashtu si njëmijë mimoza së bashku, ashtu dhe gratë do të duken si njëmijë diej vezullues.( Po huazoj titullin e romanit të Khaled Hossein).
Qëllimi im nuk është t’i lëvdoj gratë dhe t’i ngre në piedestal, apo të them të paqena rreth tyre. Thjesht këmbëngul se duhet të rivendikojnë të drejtat e munguara. Kjo vlen për gratë anekënd botës.
Në mitologji,një grua e fuqishme është Gaia, Nëna Tokë, prurëse e jetës dhe e bukurisë. Frymëmarrjet e Gaias zgjojnë Tokën e përgjumur. Natyra lulëzon e kundërmon në prezencën e saj. Ndaj ushqej bindjen që bota do të funksiononte më mirë, nëse gratë do të ishin të pranishme, po aq sa dhe burrat, në të gjitha sferat shoqërore. Sepse çdo grua është pak Gaia dhe përmbush një mision special mbi Tokë, të lindë jetën pafundësisht.
Ndaj në homazh të secilës prej jush zonja, zonjusha, mikesha, motra, nëna, kushërira, që lindni jetën dhe e mbushni me kuptim atë, po citoj vargjet më të thjeshta dhe më magjiplote të Maya Angelou-t:
“ Unë jam një grua.
Grua fenomenale.
Kjo jam unë”.
Absolutisht dakord me poeten amerikane. Të gjitha gratë janë fenomenale, par excellence.





