Naftëtarët e Ballshit, të cilët prej 22 ditësh janë në grevë urie, i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili iu kërkoi të ndërprisnin grevën e urisë, pasi ai është i gatshëm që të bisedojë për të gjetur një zgjidhje.

Grevistet naftëtare shprehen se nuk do e ndërpresin grevën deri në momentin që kryeministri të shkojë vetë në ambientet e grevës dhe të njihet nga afër me situatën, me problemet e tyre.

“Të vijë kryeministri të na shikojë gjendjen, të na japë një zgjidhje dhe pastaj shohim e bëjmë e ndërpresim ose jo. Nuk jemi dakord fare, nuk e ndërpresim grevën. Të vijë dhe të ulet këmbëkryq të na shikojë si jemi dhe në ç’gjendje jemi. Këtu do qëndrojmë jemi shumë të vendosura. Janë bërë të pabesueshëm, ndryshe nuk ka zgjidhje tjetër”, ka thënë njëra prej grave greviste.