Në vitin 1999, kur Brunilda Liçaj punonte në sektorin detar numri i grave dhe vajzave ishte mjaft i ulët, pasi konsiderohej ende një profesion tabu për gjininë femërore.

Aktualisht shumë gjëra kanë ndryshuar dhe janë ende në evoluim, pasi integrimi i grave dhe vajzave në detari mbetet prioritet i institucioneve që lidhen drejtpërdrejt me këtë sektor. Në shërbim të kësaj ishte dhe simpoziumi i mbajtur sot në Fakultetin e Studimeve Profesionale në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare të Gruas në Detari”.

Nisur nga specifika e rajonit të Durrësit, ku investime të shumta po kryhen dhe do të kryhen në sektorin detar, përqindja e grave dhe vajzave pritet të rritet ndjeshëm.

“Përfshirja e femrave në detari është një risi dhe njê element mjaft pozitiv për të përmirësuar shumë nga parametrat e sektorit. Nëse flasim për rajonin e Durrësit është qendra e gravitetit të detarisë në Shqipëri dhe investimet që po bëhen në këtë sektor kanë nevojë për një përfshirje më të madhe për vajza dhe gra me aftësi për t’i shërbyer këtij sektori”,- thotë dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale Osman Metalla.

Risitë teknologjike të kohës pritet të ndikojnë mjaft pozitivisht për rritjen progresive të prezencës femërore në shumë procese pune, që më parë kryheshin nga kolegët meshkuj. sinkron

“Shpresojmë që numri të rritet. Statistikat flasin për një pjesëmarrje në shifrën 22% të grave dhe vajzave në sektorin e transportit rrugor, hekurudhor dhe detar. Në detari numri është i ulët për shkak të kushteve të vështira të punës dhe kjo është ajo që duhet të përmirësojmë. Në të ardhmen, me digjitalizimin e sektorit gratë do të ketë mundësi më të mëdha për të ushtruar këto profesione.”,- thotë për “DurrësLajm” Martina Hakl, eksperte e barazisë gjinore pranë Sekretariatit të Përhershëm të Transportit.

Në degën “Navigacion dhe menaxhim detar”, numri i studenteve femra ka qenë dukshëm më i ulët sesa studentët meshkuj. Ndërsa flet me superlativa për përgatitjen dhe profesionalizmin e tyre, dekani Osman Metalla shprehet i bindur se kjo shifër që aktualisht është 25% do të ndryshojë në të ardhmen.

Stereotipet mashkullore në sektorin detar pritet t’i sfidojnë pse jo dy nga studentet e kësaj dege.

Për Dorela Memën, studente e vitit të dytë në këtë degë, paragjykimet nuk kanë munguar: “Jo vetëm nga studentët meshkuj, por edhe nga studentet femra kam pasur paragjykime duke qenë se jam një nga dy studentet femra në klasën time. Pavarësisht kësaj nuk është ide e keqe t’i ndjekësh këto studime”.

“Jam paragjykuar pak, sepse më kanë thënë që është degë më shumë për meshkuj, por unë nuk jam penduar sepse është degë shumë e mirë si për meshkuj dhe për femra. Dua të punoj në profesionin tim në detari. Dua të punoj jo në tokë, por në det si fillim dhe më pas edhe në tokë”,– tregon Xhusiana Tabaku, studente e vitit të tretë.

Në përfundim të simpoziumit, u shpërndanë certifikata mirënjohjeje për të gjitha ato gra, që kanë kontribuar ndër vite për barazinë gjinore në sektorin detar.  

M.B.