Gjatë javës së parë si Sekretar i Shtetit për Shtetet e Bashkuara, pata nderin të takoja një grup grash kurajoze nga Burma. Dy prej tyre ishin ish-të dënuara politike të cilat, ndonëse kishin duruar shumë vështirësi në jetët e tyre, ishin ende të angazhuara për të ecur përpara – duke ofruar arsim dhe trajnim për gratë, duke gjetur punë për të papunët dhe duke luftuar për më shumë pjesëmarrje në shoqërinë civile. Nuk kam dyshim se ato do të vazhdojnë të jenë agjente të fuqishme ndryshimi, duke sjellë përparim në komunitetet e tyre dhe në vendin e tyre në vitet e ardhshme.
Janë mundësitë si kjo që na kujtojnë pse është kaq e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të punojnë me qeveritë, organizatat dhe individët në mbarë botën për të mbrojtur e çuar përpara të drejtat e grave dhe vajzave. Në fund të fundit, ashtu si në vendin tonë, problemet më urgjente politike, sociale dhe ekonomike thjesht nuk mund të zgjidhen pa pjesëmarrjen e plotë të grave.
Sipas Forumit Ekonomik Botëror, vendet ku burrat dhe gratë janë më pranë përfitimit të të drejtave të barabarta gëzojnë ekonomi më konkurrente sesa vendet ku hendeku midis grave dhe burrave i ka lënë gratë dhe vajzat me mundësi të kufizuara ose pa mundësi përfitimi për kujdes shëndetësor, arsim, poste të zgjedhura, dhe vende në treg. Po kështu, Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë përcakton se, nëse fermeret femra do të kishin më shumë mundësi për të siguruar fara, plehërues dhe teknologji në masën që munden fermerët meshkuj, ato do të mund ta ulnin numrin e njerëzve të kequshqyer në botë me 100 deri në 150 milion.
Megjithatë, në shumë shoqëri dhe shumë shtëpi, gratë dhe vajzat janë akoma të nënvlerësuara, nuk u jepet mundësia për t’u shkolluar, dhe janë të detyruara të martohen në moshë të mitur. Shumë jetë janë humbur ose kanë ndryshuar përgjithnjë për shkak të dhunës me bazë gjinore. Si baba i dy vajzave, nuk mund ta imagjinoj dhimbjen që kanë kaluar prindërit e vajzës së re të njohur me emrin “Nirbhaya”, studentja 23 vjeçare e mjekësisë e cila u vra në autobus në Nju Delhi thjesht pse ishte vajzë, apo vuajtjen e ndjerë nga prindërit e Malala Yousafzai, vajza pakistaneze e cila u sulmua goditur për vdekje nga ekstremistët po ashtu në autobus, thjesht pse donte të shkonte në shkollë. Por, më frymëzon përkushtimi i patrembur i Malalas për çështjen e saj, vendosmëria e Nirbhayas, ndërsa jepte shpirt, për të çuar para drejtësisë ata që e sulmuan, dhe nga kuraja e baballarëve të tyre për të folur në emrin e vajzave të tyre dhe grave kudo ndodhen.
Asnjë vend nuk mund të ecë përpara nëse lë gjysmën e popullsisë së vet mbrapa. Prandaj Shtetet e Bashkuara besojnë se barazia gjinore është kryesore për qëllimet tona të përbashkëta për begati, stabilitet dhe paqe dhe kjo është arsyeja pse investimi te gratë dhe vajzat në mbarë botën është kryesor për përparimin e politikës së jashtme të SHBA-së.
Ne investojmë në trajnimin dhe udhëheqjen e grave sipërmarrëse në mënyrë që ato të përmirësojnë jo vetëm familjet e tyre por të ndihmojnë gjithashtu në rritjen e ekonomive të vendeve të tyre. Ne investojmë në arsimimin e grave në mënyrë që ato të mund të shpëtojnë nga martesa e detyruar në moshë të vogël, të dalin nga rrethi i varfërisë dhe të zhvillohen për të qenë drejtuese në komunitet dhe qytetare të përfshira. Rritja e arsimimit për gratë dhe vajzat dhe mundësisë së tyre për burime përmirëson gjithashtu shëndetin dhe arsimin e brezit të ardhshëm.
Ne punojmë me partnerë anekënd botës për të përmirësuar shëndetin e nënave, për të forcuar fermeret femra dhe për të parandaluar dhe trajtuar dhunën gjinore, sepse të gjitha shoqëritë përfitojnë kur gratë janë të shëndetshme, të sigurta dhe mund të kontribuojnë me punën, drejtimin dhe kreativitetin e tyre në ekonominë globale. Diplomatët amerikanë kudo që janë punojnë për të integruar gratë plotësisht në negociata paqeje dhe në përpjekjet për siguri sepse sjellja e përvojës së grave, shqetësimeve dhe këndvështrimit të tyre në tryezë mund të ndihmojë në parandalimin e konfliktit në të ardhmen dhe në vendosjen e paqes së përhershme.
Sot, Dita Ndërkombëtare e Grave është një ditë për t’u festuar. Është gjithashtu dita kur secili prej nesh duhet të angazhohet sërish për t’i dhënë fund pabarazisë që ndalon përparimin në çdo kënd të globit. Ne mundemi dhe duhet të zotohemi për këtë në mënyrë që secila prej vajzave tona të mund të marrë autobusin pa frikë për në shkollë, që motrat tona të mund të përmbushin potencialin e tyre të jashtëzakonshëm, dhe që çdo grua dhe vajzë të mund të jetojë në përmbushje të potencialit që zotëron.
Nga: JOHN KERRY