Studimet më të fundit kanë treguar që stërvitja është shumë e dobishme si për nënën ashtu dhe për foshnjën gjatë shtatzënisë, për sa kohë të mos ketë probleme. Nëse keni qenë tashmë fizikisht aktiv para shtatzënisë, është e shëndetshme të vazhdoni të ushtroni.

Nëse nuk keni qenë fizikisht aktiv para shtatzënisë, nuk është tepër vonë për të filluar, ju duhet të jeni në gjendje të stërviteni gjatë gjithë shtatzënisë suaj.

Gratë që kryejnë aktivitet gjatë shtatzënisë ndihmojnë veten e tyre, por edhe shëndetin e fëmijës në të ardhmen.
Sa më aktive, aq më e lehtë do të jetë për gratë të përshtaten me peshën dhe formën e re trupore. Kjo gjë do të ndihmojë shumë edhe pas lindjes, sepse trupi do të rikthehet në formën më të mirë për një kohë më të shkurtër.
Deri më sot ka pasur shumë paragjykime për nënat, të cilat kanë ndjekur këtë ritëm. Nga publiku ato janë parë si egoiste dhe nëna të ardhshme jo të përkushtuara, madje dhe janë kritikuar.

I ftuar në Vila24, mjeku fiziatër Dorian Meta këshillon të gjitha nënat që sesi të bëjnë aktivitet fizik gjatë kësaj periudhe pa rrezikuar shëndetin e foshnjës.

“Kontrollet me fiziatrin ose personin që është përzgjedhur për t’u kujdesur për fizikun e gruas duhet të jenë të barabarta me ekot dhe analizat që bëhen. Aktiviteti fizik dhe mirëmbajtja e fizikut të gruas duhet të fillojë pas muajt të 4-t, duhet të konfirmohet që shtatzënia është në rregull dhe prapë është gjinekologu ai që jep konfirmimet për gruan që të kryejë aktivitet fizik. Aktiviteti i përshtatet fazave të shtatzënisë, nuk ecim dot më me idenë e vjetruar tashmë që gruaja shtatzënë është ajo që duhet vetëm të rrijë”, tha Meta.