Me transferimi te Manchester City në verën e vitit 2021, Jack Grealish u shndërrua në futbolistin britanik më të shtrenjtë të historisë duke qenë se “qytetarët” shpenzuan plot 117.5 milionë euro për të bindur Aston Villa-n ta linte të lirë 26-vjeçarin.

Por, tashmë fantazisti është gati të vendosë një tjetër rekord, edhe pse këtë herë bëhet fjalë për jashtë fushës së blertë teksa Grealish është shumë pranë firmës me markën e famshme italiane të modës, Guci.

Këta të fundit nuk kanë bashkëpunuar kurrë më parë me një person nga bota e futbollit, teksa kanë gjetur te Grealish identikitin e duhur për të nisur rrugëtimin e ri.

Sipas The Athletic, futbollisti i Manchester City do të firmosë një kontratë faraonike me shtatë shifra, edhe pse ende nuk janë zbuluar detaje të marrëveshjes.

Në këtë formë, duket sikur Grealish është në gjurmët e David Beckham, i cili së bashku me aventurën në futboll, u shndërrua edhe në një ikonë të modës duke fituar shifra marramendëse nga kontrata të ndryshme.