Interes të madh ka shkaktuar një sondazh i kompanisë së hulumtimeve politike MRB për sa i përket pikëpamjes së grekëve për liderët e huaj dhe tendencave të regjistruara prej saj për situatën aktuale politike të vendit.
Ndoshta nuk përbën surprizë për grekët, por Vladimir Putin gëzon nivelin më të lartë të popullaritetit në Greqi. Përkundrazi, liderë si Erdogani, Joe Biden, Netanyahu apo edhe Volodymyr Zelensky janë shumë më poshtë në preferencat e të anketuarve. Hulumtimi në fjalë është realizuar nga data 4 deri më 13 dhjetor.
Një nga pyetjet që u bë ishte se si të anketuarit i vlerësojnë gjithsej 11 liderët e mëposhtëm: Vladimir Putin, Donald Trump, Emmanuel Macron, Xi Jinping, Volodymyr Zelensky, Ursula von der Leyen, Joe Biden, Keir Starmer, Benjamin Netanyahu, Olaf Soltz dhe Rexhep Tajip Erdogan. Si u përgjigjën grekët? Sipas sondazhit të kompanisë, Vladimir Putini renditet i pari në listën e liderëve me gjykimet më të mira pozitive nga votuesit grekë, duke mbledhur një përqindje prej 31.8%.
Në vend të dytë është ish-presidenti I rizgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, me 29,8% opinione pozitive, i ndjekur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me 27,7%. Në vendin e katërt është presidenti i Kinës Xi Jinping, i ndjekur nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, i cili renditet i pesti me 15.4%. Vendin e gjashtë e zë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nga ana tjetër, siç pritej, opinionet më negative u regjistruan për presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan, i cili është lideri që mbledh më shumë gjykime negative nga qytetarët grekë.
Në vend të dytë të vlerësimeve negative është kryeministri i Izraelit, Netanyahu, me 60.6%. Më pas është presidenti i Ukrainës, Zelensky, me 60.4%, ndërsa në vendin e katërt vjen presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden, i cili mbledh 60.2% opinione negative.