Kriza e gjatë ekonomike ka detyruar shumë grekë të ndërrojnë profesion apo edhe të eksperimentojnë ide të reja për të mbijetuar. Shumë prej tyre iu janë rikthyer traditave të trashëguara nga prindërit apo gjyshërit, si kultivimi i mjaltit, punimet me dorë apo edhe inovacioneve të  tjera të lidhura me peshkimin.

Në qoftë se nevoja është nëna e shpikjes, 8 vite recesion, krizë ekonomike dhe perspektiva e zbehtë për punë, ka detyruar një pjesë të mirë të grekëve të ndërrojnë profesion dhe të krijojnë apo improvizojnë për të mbijetuar. Nga ishulli i Siros, kornizat prej druri të punuara me dorë po shënojnë një bum shitjesh në Europë dhe përtej saj. Mjalti organik i kodrave Evoia në lindje të Greqisë, është i preferuari i klientëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Londra, Hong Kongu dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kurse në rrethinat e Athinës një marangoz i është kthyer hobit të tij të prodhimit të pajisjeve dhe armeve të peshkimit, pasi biznesi i tij i mëparshëm dështoi. Klienti i tij i parë ishte rus. Dimitris Hatzirodo thotë se kriza i ka detyruar grekët të mendojnë përtej të zakonshmes.

Nëse gjërat vështirësohen në çdo drejtim, të bën të mendosh dhe të detyron të eksperimentosh ide të reja apo profesion të ri, thotë ai teksa qëndron i ulur në punishten që ai dhe vëllai kanë trashëguar nga i ati. Më shumë se 400 mijë grekë kanë emigruar jashtë vendit që prej nisjes së krizës financiare të 2009-s. Kurse nga ata që qëndruan nëse kanë një punë konsiderohen me fat, teksa një e katërta e popullsisë është e papunë, dhe të ardhurat kanë rënë mesatarisht 40 për qind. Prodhimi Kombëtar ka rënë me një të katërtën që nga viti 2008.

Periklis Therrios, 36 vjeç, i cili ka emigruar për pak kohë në Kanada, bashkë me bashkëshorten e tij Eleni Vakondiou, 37 vjeçe, nisën të punojnë me dorë kornizat prej druri rreth 2012-s, duke përdor madje disa herë edhe materiale ricikluese. Ideja iu lindi pas dështimit të përpjekjeve për prodhime mobiliesh.

“Ka qenë vërtet shumë e vështirë dhe me qindra herë kemi menduar të heqim dorë. Por ne besuam në përpjekjet tona, ne besuam që do të arrinim të bënim një produkt unik në treg”, thotë Eleni.

Nga një punishte e vogël në ishullin Siros, çifti nisi të prodhojë rreth 350 copë në vit. Ata thonë se janë në rrugën e duhur për të prodhuar rreth 2 mijë këtë vit, me çmim pakice nga 250 në 300 euro.

Në Evoia, në zemër të fshatit grek, Yannis Karipidis dhe Stevi Theodorou administrojnë koshere bletësh të trashëguara nga gjyshi i tyre . Vitin e kaluar ata kanë shitur 60.000 kavanoza me mjaltë organik. Prodhimi ka tejkaluar tashmë 70.000 kavanoza për gjysmën e parë të 2016-s.

Çifti Karipidis, të cilët më parë kanë punuar në marketing dhe kontabilitet, kishin vendosur të udhëtojnë drejt Britanisë së madhe, por një udhëtim në Evoia iu ndryshoi mendjen.

“Ne i thamë vetes: nëse funksionon, funksionon, nëse jo, jo, por e provuam, i dhamë vetes një shans”, thotë Karipidis.

Ferma Stayia tani prodhon 16 lloje të ndryshme të përzierjeve të mjaltit, ku disa prej tyre shiten edhe jashtë vendit.

Organizata për pronësi industriale e njohur si OBI, thotë se grekët kanë talent, por kanë nevojë për mbështetje institucionale dhe financiare. Nga ana tjetër, bizneset e vogla të cilat kanë gjeneruar vetë suksesin e tyre e shohin ndërhyrjen e setit më shumë si pengese sa si ndihmë. Ata thonë se taksat e vendosura në Greqi e bëjnë të vështirë mbajtjen e një biznesi të vogël apo të mesëm.