GREQI, 04 mars 2013– Kufoma e një 40 vjeçari shqiptar është gjetur nga policia greke, në afërsi të kufirit të Kakavijës. Policia greke bën të ditur se kufoma e gjetur i përket shqiptarit Τetredi Alkibiadi, emri i të cilit u bë i njohur për mediat greke rreth rreth 9 muaj më parë, kur u arratis nga spitali, ku gardianët e burgut e kishin çuar për ekzaminim.  

Ditën e arratisjes mediat greke shkruajtën se i burgosuri shqiptar Τetredi Alkibiadi u arratis me ndihmën e dy personave të armatosur. Që atëherë 40 vjeçari ishte në kërkim, por u gjet i vdekur më 28 shkurt dhe vetëm sot, pas identifikimit trupit, lajmi u publikua nga policia greke. Pas kryerjes së autopsisë, policia sqaron se nuk bëhet fjalë për një krim, por hetimet vazhdojnë.

Ngjarja

Në datën 20 gusht 2012, Τetredi Alkibiadi po transportohej në spital për të ndërruar disa plagë. Me sa duket kjo lëvizje e tij ishte e njohur dhe pikërisht në orën 11:00, dy persona me armë sulmuan katër rojet dhe shoqëruesit gjyqësorë të të burgosurit. Ata qëlluan në ajër për t’i frikësuar dhe duke përfituar nga kaosi dhe paniku që u krijua, arritën të rrëmbejnë të burgosurin duke e futur në një makinë, tip AUDI me të cilën u larguan. Nuk u sqarua nëse personat që morën të dënuarin ishin bashkëpunëtorë, apo armiq të tij dhe as nëse bëhej fjalë për një plan të kujdesshëm arratisjeje, apo një rrëmbim të të dënuarit. Mësohet se 40 vjeçari vuante dënimin me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe grabitje me armë.

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/