GREQI – Policia greke ka ndërrmarrë kontrolle të rrepta për të gjetur të gjithë debitorët ndaj shtetit, që nuk kanë paguar taksat. Kjo masë e ndërmarrë nga Ministria e Mbrojtjes që autorizon policinë  të kryejë kontrolle të gjithë debitorëve kudo që ndodhen, bëhet me qëllim luftimin e evazionit fiskal. 

Sipas Ministrisë greke të Mbrojtjes së qytetarit, që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm, të gjitha patrullat e policisë do të kenë akses në bazën e të dhënave të Ministrisë së Financave, duke gjetur në kohë reale të gjithë personat debitorë ndaj shtetit.

Ministria sqaron se, krahas të dhënave siç janë patenta dhe leja e qarkullimit, drejtuesve të automjeteve, që do të ndalohen nga policia nëpër  kontrolle rutinë, do t’iu merret edhe kodi fiskal, për të gjetur nëse personi i kontrolluar është ose jo debitor ndaj shtetit.

Nëse dikush zbulohet të ketë borxhe ose taksa të papaguara, atëherë do të mbahet në arrest deri në likujdimin e debitit, ose deri sa të vendosë gjykata për çdo rast, sqarojnë burime nga kjo Ministri.

Lufta kundër evazionit fiskal pritet të jetë tema e ditës në Greqi gjatë vitit 2013. Greqia renditet si vendi me evazionin më të lartë në vendet e BE-së. FMN dhe Bashkimi Europian i kanë ushtruar presion tepër të madh Athinës zyrtare për uljen e evazionit fiskal dhe korrupsionin e lartë, që ka zaptuar vendin.

Vlerësohet se miliarda euro, me prejardhje të dyshimtë dhe të patatuara prej organeve greke, janë depozituar prej shtetasve grekë në bankat zviceriane dhe të vendeve të klasifikuara si parajsa të evazionit fiskal.