Një grup i strukturuar kriminal i trafikut të drogës, është goditur sot nga policia greke. Në pranga kanë rënë 14 persona, mes të cilëve 11 shtetas shqiptarë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Droga e llojit kokainë, heroinë dhe hashash i përpunuar kishte për qëllim tregun vendas.

Operacioni i policisë filloi mbrëmjen e së enjtes në zonën e Atikës, ku u zbulua edhe një laborator  i përpunimit të drogës, bëjnë të ditur mediat greke.

Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi 7 kilogramë heroinë, 850 gram kanabis i përpunuar, 37.6 gram kokainë dhe 5 kilogramë e 506 gram pluhur farmaceutik të përshtatshëm për tjetërsimin e drogës.

Po ashtu janë sekuestruar edhe pajisje laboratorike për përpunimin e drogës, një pistoletë, një sasi parash prej 13 635 euro si dhe 2500 lekë shqiptare, dy makina, telefon celularë, peshore etj.