GREQI, 24 mars 2013- Greqisë i është shtuar një tjetër shkollë shqipe dhe këtë herë në qytetin e Kavalës.
Nisma ka ardhur nga shoqata e Emigrantëve Shqiptarë, e cila falë mbështetjes së Konsullatës Shqiptare në Selanik arriti një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit për të hapur shkollën e parë fillore shqipe në këtë zonë.
“Është me të vërtetë një ngjarje e shënuar fillimi i mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë në qytetin e Kavalës.
Komunikimi i fëmijëve në gjuhën amtare ka rëndësi themelore për zhvillimin e botës shpirtërore dhe emocionale të tyre”- tha Riza Poda, Konsull i Pergjithshëm i Shqipërisë në Selanik.
Ka qenë bashkia e Kavalës ajo që ka dhuruar një ambient, ndërsa deri në fund të vitit pritet të hapen katër klasa dhe numri i fëmijëve të shkojë deri në 100.





