4 dhjetor 2014 –  Roja bregdetare greke zbuloi në portin e vockël Vromi në Ishullin e Zantës (Zakinthos) afër Korfuzit një anije të braktisur. Në hambarët e anijes u gjetën qindra kartona (box) me cigare. Në bordin e anijes ishte shkruar me bojë të freskët emri AMARANTHUS, ndërsa dukeshin ende shkronjat e emrit të vjetër ISIK 2. Sipas dokumenteve të gjetura nga autoritetet greke, anija qoftë me emrin AMARANTHUS, qoftë me emrin ISIK 2 mbante flamurin e shtetit të Palaut . Më parë kjo anije kishte flamur moldav dhe ishte pronë e një turku të quajtur Beskur  Kum Cakil. Anija është një vjetërsirë 37 vjecare me kapacitet 700 ton DWT. Kjo anije gjatë vitit 2014  ka bërë disa rejse në detin Jon dhe Adriatikun jugor duke u nisur nga Porti i Famagustës në Qipron turke. Ekuipazhi i anijes ishte ukrainas (rus tashmë, sepse ishin banorë të Gadishullit të Krimesë).

Kjo anije të kujton anijen ERA (ish KAVAJA), që përfundoi në Vlorë me një ngarkesë cigaresh, të cilat u konfiskuan nga dogana shqiptare si mall kontrabandë. Vjetërsia e anijes, tonazhi i vogël, ekujpazhi ukrainas (krimeas), ngarkesa me cigare etj.etj. Autoritetet greke e kanë vënë nën ruajtje të rreptë anijen, njëkohësisht po nxjerrin me pompë ujin, që ka përmbytur pjesërisht konferdamet e anijes. Pritet përmirësimi i motit dhe mbyllja me saldim e një të care në bordin e anijes për ta zhvendosur anijen me rimorkim nga porti i vockël i Vromit. Në pikat e kontroll kalimit kufitar të Greqisë është dhënë alarmi për të interceptuar anëtarët e ekujpazhit, që kanë braktisur anijen. Nga dokumentet e kapura nga autoritetet greke rezulton se destinacioni i anijes ishte Porti i Durrësit, ndërsa pritësi i mallit (cigareve) ishte i panjohur, sipas terminologjisë detare ishte shkruar  në anglisht: On Orders si në policë ngarkesën edhe në manifestin e mallit të anijes.

/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/