Grupi i parë i refugjatëve, të cilët aktualisht gjenden në Greqi, nisën kthimin për në Turqi në përputhje me marrëveshjen mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian. Turqia dhe Greqia kanë rënë dakort që 500 refugjatë do të kthehen nga Greqia në Turqi. Sipas asaj që raportohet, bëhet fjalë për refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Pakistani, të cilët nuk kanë paraqitur kërkesa për azil.

Ky është grupi i parë me të vërtet i madh i refugjatëve që do të kthehen në Turqi, duke filluar nga 20 marsi, kur hyri zyrtarisht hyri në fuqi marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Pala greke ka refuzuar të qartësojë se sa refugjatë do të kthehen nga Greqia në Turqi, por mediat kanë raportuar se numri i tyre pritet që, deri të mërkurën, të arrijë në 750.

Ndërkohë, grupi i parë i refugjatëve sirianë kanë zbarkuar sot në Gjermani, me aeroplanin që u nis nga Stambolli, në kuadër të marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë. 16 refugjatë sirianë zbarkuan në qytetin e Hanoverit. Sipas marrëveshjes, Turqia do të pranojë të gjithë refugjatët që kanë hyrë në Greqi, në shkëmbim të pranimit të mijëra refugjatëve të cilët tani gjenden në Turqi nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.