Një tërmet me magnitudë 4.5 shkalla Rihter është regjistruar mëngjesin e së dielës në zonën detare midis ishujve Santorini dhe Amorgos, ndërsa kanë pasuar të paktën dhjetë lëkundje të tjera brenda një ore, duke shqetësuar banorët e rajonit.
Sipas të dhënave nga Instituti Gjeodinamik, tërmeti i sotëm kishte një thellësi prej 15.2 kilometra dhe epiqendër 22 kilometra në jugperëndim të Arkesinit në ishullin Amorgos. Më herët, në orën 08:48, ishte regjistruar një tjetër tërmet me magnitudë 4.1 shkalla Rihter.
Për shkak të aktivitetit sizmik të dy ditëve të fundit në këtë zonë, një mbledhje e përbashkët e Komisioneve të Shkencës për Vlerësimin e Riskut Sizmik dhe të Monitorimit Shkencor të Harkut Hellenik u mbajt pasditen e së shtunës, me praninë e ministrit të Mbrojtjes Civile dhe kreut të OASP, profesor Efthymios Lekkas. Pas kësaj, u morën disa masa parandaluese në Santorini për të siguruar mbrojtjen e qytetarëve.
Në një njoftim të përbashkët, u theksua se:
• Shkollat do të mbeten të mbyllura më 02.03.2025.
• Qytetarët janë këshilluar të shmangin grumbullimet e mëdha në ambiente të mbyllura.
• Të shmanget hyrja dhe qëndrimi në portet e Ammoudisë dhe Portin e Vjetër të Firës.
Kostas Papazachos, profesor i Gjeofizikës dhe Sizmologjisë në Universitetin Aristotelis në Selanik, ka shpjeguar se masat janë marrë për të parandaluar panikun në hapësira të mbyllura, si shkollat, dhe për të minimizuar rrezikun nga pasojat e mundshme të mëtejshme. Ai gjithashtu theksoi se këto tërmete nuk kanë lidhje me vullkanin e Santorinit, duke i quajtur ato si një fenomen të zakonshëm sizmik, të pavarur nga aktiviteti vullkanik.
Ai sqaroi gjithashtu se sekuenca sizmike që po zhvillohet është e zakonshme në shumë pjesë të Greqisë dhe nuk ka nevojë për panik. “As vullkanet nuk janë zgjuar, as ka ndodhur diçka që të justifikojë skenarë fantashkencë,” shtoi ai.
Megjithatë, sizmologët që po monitorojnë aktivitetin sizmik thonë se është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë të lëkundjeve, por ata paralajmërojnë mundësinë e një tërmeti më të fortë në të ardhmen. Deri më tani, zona e Ciklades ka regjistruar më shumë se 200 lëkundje sizmike vetëm në javën e fundit, duke rritur shqetësimin e banorëve.