Ministri i jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi sot në Athinë një takim kokë më kokë me homologun krek Nikolaos Kotzias, ku të dy palët janë shprehur të gatshëm të adresojnë një sërë temash dhe problemesh mes dy vendeve, për të mbyllur atë që presidenti grek Prokopis Pavllopullos më herët e quajti “mbylljen e kapitullit të së kaluarës në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Të dy ministrat thanë se dy vendet kanë një pakt miqësie, për të cilin tashmë ka ardhur koha të rinovohet, modernizohet dhe të përshtatet me situatat aktuale. Ministri Kotzias përshëndeti bashkëpunimin dypalësh dhe u shpreh i vendosur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe. “Athina mbështet Shqipërinë në rrugën e saj europiane dhe do të vazhdojë ta bëjë atë,” – deklaroi Kotzias.

Nga ana e tij, ministri Bushati përsëriti qëndrimin e Tiranës për adresimin e çështjeve të së kaluarës, për t’i dhënë një energji pozitive marrëdhënieve dypalëshe.

Kotzias ka nënvizuar se dy vendet nuk janë në gjendje lufte dhe kjo konfirmohet, sipas tij, nga firmosja e traktatit të miqësisë. “Të dyja vendet janë anëtare të NATO dhe ndajnë mes tyre pikëpamje dhe bashkëpunim reciprok,” – tha Kotzias. “Por, nëse ekzistojnë terma juridikë për të cilat pala shqiptare kërkon një interpretim tjetër, atëherë ekziston mekanizmi për zgjidhjen e kësaj,” – shtoi ministri grek.