Një turist i zhdukur amerikan është gjetur i vdekur në një plazh në një ishull të vogël grek në perëndim të Korfuzit, raportojnë mediat lokale.
Trupi i burrit u gjet të dielën në një plazh shkëmbor, mjaft të largët në ishullin Mathraki nga një tjetër turist, raporton The Guardian.
Ai ishte raportuar i zhdukur të enjten nga një mik greko-amerikan. Turisti ishte parë për herë të fundit të martën në një kafene në shoqërinë e dy turisteve femra që janë larguar nga ishulli.
Asnjë detaj i mëtejshëm rreth viktimës, duke përfshirë emrin ose vendlindjen, nuk janë bërë të ditura.
Mathraki, i cili ka një popullsi prej 100 banorësh, është një ishull shumë i pyllëzuar me sipërfaqe 3.9 km katrorë, në perëndim të ishullit më të njohur të Korfuzit.
Rasti është i fundit në një varg rastesh në të cilat turistët në ishujt grekë kanë vdekur ose janë zhdukur.
Disa, jo të gjithë, ishin nisur për ecje në temperatura shumë të nxehta.
Trupi i një turisti holandez 74-vjeçar u gjet nga një dron i zjarrfikësve të shtunën, i shtrirë me fytyrë përtokë në një luginë rreth 300 metra nga vendi ku ai ishte parë për herë të fundit të dielën e kaluar.
Michael Mosley, një prezantues dhe autor i njohur televiziv britanik, u gjet i vdekur të dielën e kaluar në ishullin Symi. Një mjek doli në përfundimin se ai kishte vdekur të mërkurën e kaluar, pak pasi kishte shkuar për një shëtitje në një terren të vështirë, shkëmbor.
Të premten, dy turiste franceze u raportuan të zhdukur në Sikinos, një ishull relativisht i izoluar Cyclades në detin Egje, me më pak se 400 banorë të përhershëm.
Dy gratë, të moshës 64 dhe 73 vjeç, kishin lënë hotelet e tyre përkatëse për t’u takuar.
Në ishullin Amorgos, gjithashtu në Cyclades, autoritetet janë ende në kërkim të një turisti 59-vjeçar të shpallur të zhdukur që nga e marta, kur ai kishte shkuar në një shëtitje i vetëm në kushte shumë të nxehta.