Federata Greke e Futbollit dënoi dhunën që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes së parë në gjysmëfinalet e Kupës, ndërmjet PAOK-ut të Selanikut dhe Olympiakos të Pireut.

Dhuna, e cila shpërtheu pas mohimit të një 11-metërshi për PAOK-un, bëri që zv.Ministri grek i Sporteve, Stavros Kontonis të rekomandonte ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të futbollit në vend. Një vendim përfundimtar rreth këtij propozimi do të merret pas bisedimeve ndërmjet autoriteteve shtetërore greke dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit në vend.

Stadiumi i Selanikut u kthye në fushë beteje, pasi qindra tifozë të zemëruar pushtuan pushën dhe u përplasën me policinë në minutat e fundit të ndeshjes. Pas polemikave për 11-metërshin e mohuar dhe dhunës që krijoi episodi, presidenti i PAOK-ut, Ivan Savvidis e tërhoqi ekipin nga turneu. Në një deklaratë për shtyp, Federata Greke e Futbollit, EPO i dënoi ngjarjet e dhunshme. Duke i’u referuar krizës ekonomike të vendit dhe emergjencës me emigrantët, federata shtoi se “nuk do të lejojë që futbolli të përfshihet në ngjarje të cilat shkojnë përtej fushës së lojës dhe që ato të përzihen me problemet e të gjithë shoqërisë.

 Kjo ishte hera e dytë gjatë këtij sezoni që në Greqi ndërpritet ndeshja. Në Nëntor të vitit të kaluar, derbi i Athinës ndërmjet Panathinaikos dhe Olympiakos u anulua pas përleshjeve të dhunshme ndërmjet tifozëve dhe forcave të policisë.