GREQI, 19 mars 2013 – Një shqiptar u arratis sot nga një burg në Greqi së bashku me dy persona të tjerë. Policia greke bën të ditur se tre të burgosur, mes të cilëve një shqiptar, kanë arritur të dalin sot paradite nga qelitë e paraburgimit, në drejtorinë policore të Agrinios në Greqinë perëndimore.

Sipas të dhënave të fundit të policisë, të dënuarit sharruan hekurat e qelisë dhe u zhdukën. Forca e rendit kanë nisur një operacion në shkallë të gjerë për gjetjen dhe kapjen e dy të tjerëve, dhe po kontrollojnë automjetet në akset kryesore rrugore.

Njoftohet se njeri prej të arratisurve, një shtetas grek, u kap rreth një orë pas arratisjes. Nga policia nuk janë bërë të ditura arsyet e mbajtjes në paraburgim, por mësohet se mosha e të arratisurve është: shqiptari, 29 vjeç, dhe dy grekë të moshës 30 dhe 22 vjeç.

29 vjeçari shqiptar do të paraqitej në gjykatën e Agrinios për vlerësimin e masës së sigurisë. 

Policia arrestoi nënën e 22 vjeçarit grek të akuzuar për bashkëpunim, pasi ajo gjatë takimit me djalin në burg, i dha atij një limë, me të cilën ata bënë të mundur arratisjen. 

Në pranga u vunë 3 punonjës policie të paraburgimit në Agrinio, për pakujdesi në detyrë, ndërsa vazhdojnë hetimet për kapjen e dy të arratisurve të tjerë. 

Arratisja ndodhi vetëm dy ditë pas pengmarrjes së bujshme të realizuar nga Alket Rizai në burgun e Malandrinos.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/