Dyshohet se pas aferës është mafia apo konspiracion i lojërave të fatit
DURRËS, 6 nëntor 2014 –  Një shqiptar transferon 1.5 milion euro nga Athina në Tiranë pa deklaruar burimin e këtyre parave.
Antikrimi financiar i Greqisë (SDOE) ka zbuluar 38 raste transfertash me vlerë mbi 5 milionë euro secila dhe 15 raste të tjera transfertash me vlerë më shumë se 1 milion euro secila, të cilat janë dërguar në bankat jashtë vendit nga persona, të cilët kanë deklaruar të ardhura të zero, njofton portali grek anglishtfolës  greekreporter.com.
Skuadra e luftës kundër krimit financiar e Greqisë (SDOE) zhvilloi hetime lidhur me rritjen e papritur të papërligjur në aktivet e mjekëve, avokatëve, pronarëve të anijeve, bankierëve, fermerëve etj. dhe ka zbuluar raste fondesh të padeklaruara, që kapërcejnë vlerën e mbi 30 milionë euro.
Në 18 raste shumat me vlerë mbi 1 milion euro janë dërguar nga njerëz të cilët merrnin asistencë papunësie nga shteti. 
Janë miliona euro të gjetur në llogari të ndryshme, si dhe transferta të dyshimta që nuk mund të përligjen.
Mes tyre që ka “kapur” SDOE-ja është rasti i një kontraktuesi shqiptar, i cili kishte dërguar 1.5 milion euro  në Tiranë, por nuk mund të justifikojë burimin e parave. 
SDOE-ja beson se pas kësaj shume të madhe mund të fshihet mafia shqiptare apo konspiracion i lojërave të fatit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/