Policia greke ka shkatërruar një organizatë të trafikut të drogës, dhe ka vënë në pranga 14 anëtarë të saj, midis të cilëve tre shqiptarë si dhe dy gra. Policia zhvilloi kontrolle në 20 shtëpi në zona të ndryshme të Atikës, si në Ilion, Ano Liosia, Peristeri, Kallithea, Petralona, Kolonos dhe Sepolia

Grupi përpunonte heroinën duke i shtuar sasi të mëdha barnash të tjera, çka do të thotë vdekje shumë më të shpejtë për konsumuesit. Sipas mediave greke një kilogram heroinë e trafikuar nga Turqia është manipuluar dhe sasia ka arritur në 7 kg, duke i futur brenda kimikate të ndryshme.

Ky aktivitet ka bërë që trafikantët të kenë përfitime të shumta ekonomike.

Në cilësinë e provave materiale policia ka sekuestruar 7 kg heroinë (të falsifikuar), kokainë, hashash, dy makina, peshore precize për drogën si dhe 13,635 euro.

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe materiale farmaceutike, 2 500 lekë shqiptare, etj.

Mediat greke shkruajnë se anëtarët e kartelit, grekët dhe shqiptarët përdornin kode të ndryshme në bisedat e tyre për shkak të frikës së përgjimit të telefonave celularë.

Organizata kriminale kishte arritur t’i vidhte armën e shërbimit edhe një punonjësi policie.  Karteli ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë, 10 prej të cilëve janë nëpër burgje dhe 4 të tjerë janë kërkim.