- Rezultati më i papritur vjen nga Athina ku Greqia është mundur në shtëpi 1-0 nga Ishujt Faraoe.
14 Nëntor 2014 – Gjermania rikthehet te fitorja në ndeshjet eliminatore të Euro 2016 duke kaluar një test të lehtë me debutuesit e Gjibraltarit.
Kampionët e botës shënuan poker golash ndaj kombëtares modeste në kufirin mes Evropës dhe Afrikës, duke mos shkarkuar gjithë arsenalin e tyre. Ai që hapi serinë e golave ishte Thomas Muller që shënoi dy herë deri në minutën e 29-të, ndërsa Mario Gotze sigloi rrjetën e tretë.
Gjermania e ndali ofensivën në të 67-ën pas autogolit të skuadrës mike. Me këtë fitore, skuadra e Loew shkon në kuotën e 7 pikëve, 3 më pak se Polonia që renditet në krye të Grupit D pas një suksesi identik në transfertën e Gjeorgjisë. Ekipi bardhekuq tregoi muskujt në Tbilisti, duke hedhur kandidaturën për një biletë drejt Francës pas dy viteve.
Një fitore me peshë arriti Skocia kundër Irlandës me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i takimit të Gllasgout u realizua nga Shaun Maloney 15 minuta nga fundi. Me këtë fitore, Skocia shkon 7 pikë, po aq sa Gjermania por edhe Irlanda.
Në Grupin F, rezultati më i papritur vjen nga Athina ku Greqia është mundur në shtëpi 1-0 nga Ishujt Faraoe, skuadër që vitet e fundit ka shërbyer për të përmirësuar statistikat e golave për kundërshtarët.
Kjo është fitorja e parë në transfertë për ishullorët në një ndeshje zyrtare, çka do të thotë se kombëtarja helene e ka shënuar emrin në histori me këtë disfatë që vështirë se mund të harrohet. Me këtë humbje, skuadra e Ranierit mban vendin e fundit në grup me 1 pikë, ndërsa Rumania merr kryesimin me 10 pikë pas fitores 2-0 ndaj Irlandës së Veriut.
Në sfidën e tretë, Hungaria kaloi 1-0 Finlandën, duke u ngjitur në vendin e tretë me 7 pikë.
/Agjencia e Lajmeve Dyrrah/





