Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias njoftoi sot nënshkrimin e një marrëveshjeje me homologun e tij francez, Sébastien Lecornu, për furnizimin me 16 raketa kundër anijeve, të tipit ”Exocet.
“Ne sapo kemi nënshkruar një marrëveshje midis shteteve për furnizimin me 16 raketa tip ‘Exocet’ nga prodhuesi evropian i raketave MBDA”, deklaroi Dendias në një konferencë të përbashkët shtypi me Lecornu në Athinë.
Në vitin 2021, Franca dhe Greqia nënshkruan një partneritet strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë, me këtë të fundit që porositi 24 avionë ”Rafale” dhe më pas tre fregata mbrojtëse dhe ndërhyrjeje (FDI), të quajtura ”Belharra”, për një shumë totale prej mbi 5,5 miliardë eurosh.
”Ne tashmë kemi një partneritet të ngushtë që përfshin tre ‘Belharras’ dhe jemi në diskutime për blerjen e një të katërteje”, theksoi Dendias.