Ka reaguar sërish pak minuta më parë kreu i qeverisë Edi Rama, ndërsa bën me dije se vendet fqinje po i vijnë në ndihmë Shqipërisë pas goditjeve të forta të tërmetit.

Në një postim në Twitter, kryeministri njofton se kryeministri Conte e kryeministri Mitsotakis kanë nisur avionët me skuadrat speciale, ndërsa Presidenti Macron e Presidenti Erdogan shprehën gatishmërinë për çdo nevojë.

Po ashtu edhe Ambasadat e BE/SHBA kanë njoftuar për gatishmëri, ndërsa nuk ka munguar reagimi nga Presidenti Thaçi, i cili ka aktivizuar skuadrat speciale të FSK drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve ende nën rrënoja.

“Të gjithë miqtë e Shqipërisë po aktivizohen me shpejtësi. Kryeministri Conte e kryeministri Mitzotakis nisën avionët me skuadrat speciale. Presidenti Macron e Presidenti Erdogan më shprehën gatishmërinë për çdo nevojë. Ambasadat e BE/SHBA kanë njoftuar qysh herët gatishmërinë.

Qysh herët më ka telefonuar edhe Presidenti Thaçi, i cili ka aktivizuar skuadrat speciale të FSK drejt zonave të krizës emergjente për nxjerrjen e njerëzve ende nën rrënoja. Vazhdojnë kontaktet, ndërkohë që në terren po bëhet gjithçka e mundur në pikat ku kushtet janë më të rënda“.