Flota e Marinës Ushtarake Greke u pasurua sot zyrtarisht me fregatën e parë të tipit Belharra, që mban emrin “Kimon”.
Ceremonia e emërtimit dhe ngritjes së flamurit grek u zhvillua në kantieret detare të Lorient-it, në Francë, në prani të përfaqësuesve politikë dhe ushtarakë të Greqisë dhe Francës.
Sipas traditës detare, pas përfundimit të ceremonisë, ekuipazhi hipi në anije, duke shënuar hyrjen formale të saj në shërbim.
“Kimon” është e para nga katër fregatat Belharra që Greqia do të marrë, në kuadër të bashkëpunimit strategjik me Francën në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri grek, Mitsotakis nga Brukseli, foli për një fazë të re modernizimi të Forcave të Armatosura, ndërsa ministri i Mbrojtjes Nikos Dendias që morri pjesë në ceremoni, theksoi se bëhet fjalë për një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve detare të vendit.
Fregata “Kimon” është një anije shumëfunksionale, me aftësi për mbrojtje ajrore, kundër-nëndetëse dhe kundër anijeve sipërfaqësore.
Ajo është e pajisur me sisteme moderne sensorësh, teknologji elektronike dhe arkitekturë digjitale të avancuar, si dhe ka mundësi operimi me helikopter dhe mjete ajrore pa pilot.
Ditët në vijim, anija do të lundrojë drejt Brestit për pajisjen me armatim dhe pritet që në janar të mbërrijë në Bazën Detare të Salaminës.
Dy fregata të tjera të së njëjtës klasë pritet të dorëzohen brenda vitit 2026, ndërsa ka nisur tashmë edhe ndërtimi i njësisë së katërt.
Greqia ka miratuar një plan afatgjatë modernizimi të Forcave të Armatosura që shtrihet deri në vitin 2036, me një buxhet të planifikuar rreth 25–26 miliardë eurosh për blerje të reja armësh dhe pajisjesh moderne.
Investimet kryesore dhe blerjet e fundit përfshijnë: blerjen e rreth 20 avionëve F-35A Lightning II nga SHBA, modernizimet e avionëve ekzistues F-16 në konfigurimin më të avancuar “Viper“, sistemet e raketave PULS nga Izraeli, projektin “Mburoja e Akilit ”, një sistem I integruar i mbrojtjes anti-ajrore dhe anti-raketore, dronë dhe teknologji tjera.
Sipas Athinës zyrtare ky program synon të krijojë një ushtri më moderne dhe më fleksibël, duke forcuar kapacitetet ajrore, detare dhe tokësore, për të rruajtur avantazhin strategjik në rajon dhe për të qënë e gatshme në përballjen e sfidave .





